Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se Policia e Kosovës me kohë i ka bërë përgatitjet e saj policore në mënyrë që të ofrojë siguri gjatë mbarëvajtjes së seancës së sotme.
“Bazuar në vendimin dhe kërkesën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ne kemi vendosur zyrtarët tonë policorë të sallën e Kuvendit. Në bazë të asaj kërkesë, kemi vendosur një kordon policor për të ofruar siguri dhe për t’u kujdesur mbarëvajtjen e seancës. Ashtu siç është parë dhe publikuar në mediume, një deputet ka filluar të hedhë sprej ndaj zyrtarëve policorë dhe ndaj personaliteteve që kanë qenë ulur mbrapa kordonit. Policia është dashur pak që të intervenojë në mënyrë që të largojë në një distancë deputetin e të parandalojë hedhjen e sprejit”, ka thënë Kelani në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
Ai është pyetur për deklaratat e opozitës se pjesëtarë nga Policia e Kosovës i kanë ndihmuar të fusin gazin lotsjellës brenda Kuvendit.
“Ne jemi institucion i zbatimit të ligjit dhe jo i komentimit të deklarimeve politike. Për hir të informimit, Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm as nuk ka ndihmuar as nuk ka futur gazin lotsjellës brenda në objektet e Parlamentit të Kosovës. Është vështirë të detektohet futja e gazit lotsjellës brenda në sallë, sepse ato janë materie plastike dhe për ta parandaluar duhet të vihen kontrolle rigoroze, deri te ato kontrollet duarthatë në mënyrë që mos të lejohet të futet asgjë”, ka thënë ndër tjerash Kelani.