Nga Kimete Berisha
Se sa e vetmuar është Kosova, se si ka mbetur në duar të papastra dhe të këputura në bërryl, se si në raste të rënda s’ka kush i del popullit përpara që t’ia heq trishtimin, dëshmoi ngjarja e rëndë që ndodhi sot në Skënderaj, ku një polic e vrau kandidatin e AAK-së për këshilltar në kuvendin komunal të Skënderajt!
Pavarësisht motivit të vrasësit, kjo ngjarje e ka trishtuar Kosovën, një ditë para ditës së zgjedhjeve!
Emrin e vrasësit të dyshuar, i cili u vetëdorëzua në polici, po ia ruajnë, duke ia bërë publike vetëm inicialet V.G.
Kuptohet reagimi i matur i AAK-së, por nuk kuptohet pse nuk u gjet një individualitet nga drejtësia apo nga qeveria e Kosovës që t’i drejtohet ekskluzivisht votuesit të trishtuar dhe ta garantojë sigurinë e tij gjatë ditës së nesërme në votime!
Aq më tepër kur KPM e ka monopolizuar informacionin për ditën e nesërme, i ka privuar nga e drejta për të raportuar nga terreni të gjitha mediat, dhe çfarë do të ndodh nesër vendos në konferencat e saja të shtypit KQZ-ja. Çdo ngjarje që raportohet ndryshe nga që e raporton KQZ-ja, do të ndëshkohet nga Këshilli i Pavarur i Mediave!
Nuk gjen raport ndërkombëtar, sidomos raport të DASH që nuk përmenden zyrtarë të lartë të Institucioneve të Kosovës, si të përfshirë në krim të organizuar.
Në fund të vitit të kaluar mediat raportuan se Prokuroria Speciale e Kosovës ka identifikuar dy vrasësit e Xhemajl Mustafës, njëri deputet i Kuvendit të Kosovës, e tjetri polic.
Këtë lajm nuk e ka përgënjeshtuar as EULEX-i, por që nga ajo kohë kur u paralajmërua arrestimi i këtyre vrasësve e deri sot ka kaluar një vit!
Të dekriminalizohen të gjitha Institucionet e Kosovës, duke filluar nga Policia e Kosovës, ku janë strehuar krimogjenë e psikopatë të paverifikuar!
P.S: Ngushëllime familjarëve të Bekim Birinxhikut!