Policia e Tiranës ka përmbyllur operacionin më të gjerë anti-drogë të kryer vitet e fundit në Shqipëri, njofton ATSH.
Falë një pune të gjatë hetimore, është shkatërruar një ndër grupet më të strukturuara të shpërndarjes së narkotikëve, duke nisur nga organizatorët, koordinatorët dhe shpërndarësit e drogave të forta në rrugët e kryeqytetit.
Strukturat Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë zhvilluar operacionin e koduar “EPILOG” në drejtim të goditjes së veprimtarisë kriminale të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Tiranës.
Si rezultat janë ndaluar, arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 35 persona, si anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar në shitjen e lëndëve të forta narkotike “Heroinë” dhe “Kokainë” , por jo vetëm, në zonat më frekuente të qytetit.
Ky operacion është finalizimi i një hetimi 6-mujor kryer nga Seksioni Kundër Narkotikëve në drejtimin e Prokurorisë ku është dokumentuar veprimtaria kriminale e një prej grupeve më të mëdha të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë.
Nga hetimi ka rezultuar se ky grup kriminal ka vepruar në disa zona të Tiranës, si “Shkolla e Bashkuar”, rruga “5 Maji”, “Tirana e Re”, rruga “Fortuzi”, lagjia “Laprakë”, dhe zonë e ish-Bllokut.
Për një periudhë dyvjeçare mendohet se ky grup ka shpërndarë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 900 mijë euro.
Gjatë zhvillimit të operacionit të shtrirë në kohë dhe hetimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg dhe 50 gram Heroinë, 180 doza kokainë, 1 armë pistoletë e markës Zastava, 150 fishekë, 10 automjete të markave të ndryshme, 30 telefona celularë, 10 mijë euro, peshore elektronike.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurosrisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Prodhim shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim