Lajmet e fundit

Ahmeti: Marrëveshjet duhet të rishikohen

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Amir Ahmeti, ka thënë se shqetësimet, të cilat po i paraqet opozita janë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Sipas Ahmetit, mënyrën se si po vepron kjo opozitë nuk e duan qytetarët.
“Konsideroj se çdo opozitë duhet ta forcojë pozicionin e vet, duke dhënë alternativën e saj për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, sa herë që pozita merr ndonjë vendim, qofshin ato vendime politike, ndërshtetërore, të zhvillimit ekonomik, të politikave fiskale, etj. Kështu qytetarëve do t’ju jepet mundësia ta vlerësojnë se kush i zgjidhë problemet më mirë për ta dhe do të marrin përgjigjen në zgjedhjet pasuese”, ka vlerësuar Ahmeti në një intervistë për “Republika24”.
Ai ka theksuar se ka munguar debati për dy marrëveshjet, të cilat po i kundërshton opozita. “Shteti i Kosovës ka qenë dhe është bashkëpunuesi më i madh i Brukselit dhe njëherësh ka bërë shumë kompromise gjatë këtyre bisedimeve, por si rezultat çfarë përfituam? Izolimin! Jemi i vetmi shtet në Ballkan, që nuk kemi liberalizim të vizave pavarësisht gjithë bashkëpunimit. Tani presioni nga Brukseli për këto marrëveshje nuk është aspak i arsyeshëm. Kurse nga ana tjetër, që nga fillimi ka munguar një debat më i gjerë për të dy këto marrëveshje. Tani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi një favor, një mundësi që edhe njëherë prej fillimit të rishikohen këto marrëveshje, por jo vetëm nga aspekti politik, por edhe nga ekspertët e fushave tjera dhe të vlerësohen anët pozitive dhe negative të marrëveshjeve dhe në fund të vendoset”, ka deklaruar ai. Ahmeti ka kritikuar MPJ-në për mosanëtarësimin në UNESCO. Sipas tij, nuk është bërë lobim sa duhet në këtë drejtim. “E konsiderojmë të habitshme se si votuan kundër edhe shtetet që na kanë njohur, si Japonia, Koreja e Jugut e Polonia. Por, kjo na jep një mësim, nëse vërtetë e kemi marrë atë mësim. Pra, jo gjithherë përputhen interesat e shteteve mes vete, për këtë dhe duhet angazhim më i madh dhe asnjë punë nuk duhet lënë rastësisë ose vetëbesimit të tepruar”, ka potencuar Ahmeti.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka folur edhe për sulmet në Paris. Ai ka thënë se nuk duhet fajësuar myslimanët. “Tani mund vetëm të konstatoj se jeta e myslimanëve në Evropë, por edhe gjetiu, është bërë edhe më e vështirë nga rritja e islamofobisë. Të gjitha vendet myslimane i kanë dënuar aktet terroriste, po ashtu edhe të gjitha unionet e dijetarëve myslimanë, atëherë pse duhet të fajësohen myslimanët për terrorizmin. Terrorizmi për fenë islame është dukuri e panjohur dhe ashtu do të jetë deri në ditën e fundit”, ka thënë Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.