Lajmet e fundit

Sejdiu akuzon Mustafën e Thaçin për luftë speciale kundër shqiptarëve

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka akuzuar koalicionin qeveritar për ndërmarrjen e disa veprimeve gjatë muajit nëntor, përmes të cilave, sipas tij, futi në përdorim të gjitha mjetet e një lufte speciale kundër shqiptarëve.

Në një status në rrjetin social Facebook, Sejdiu ka shkruar se ky 28 nëntor do të shënoj nisjen e një rrugëtimi të ri për Republikën e Kosovës, një shpresë për mëvetësi të plotë dhe të pakusht.

“Në muajin  nëntor të vitit 2015, Republika e Serbisë me asistencën e pashoq të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit ndërmori këto veprime në Kosovë: ndaloi rindërtimin e shtëpisë së Hazir Feratit në pjesën veriore të Mitrovicës; mundësoi vendosjen e bustit të Mbretit Milutin të cilin e kishte ndaluar edhe Tito për shkak se njihej si ‘kasapi’ i shqiptarëve; dënoi me 9 vite burgim djemtë që mbrojtën dinjitetin e Republikës duke arrestuar paramilitarët e Vulinit dhe u siguruan që Ministrat e Republikës të mos kenë mundësi të shkojnë në pjesën veriore të vendit”, ka shkruar ai.

Sipas Sejdiut, me vetëdëshirë dhe në pajtim me frymën shoviniste serbe, përndjeken e arrestuan aktivistë opozitar, rrethuan me forca speciale çdo aktivitet politik opozitar dhe futen në përdorim të gjitha mjetet e një lufte speciale kundër shqiptarëve që u vendosen në mbrojtje të Republikës.

“Dita e Flamurit po afrohet, këtë datë dhe ditë duhet ta festojmë në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ gjithë se bashku duke i dhënë një JO përfundimtare Zajednicës e kështu edhe veprimeve të ardhshme të Serbisë në Kosovë. Le të jetë ky 28 nëntor, nisja e një rrugëtimi të ri për Republikën e Kosovës, një shpresë për mëvetësi të plotë dhe të pakusht”, ka shkruar tutje ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.