Kompania “Sigal” ku janë siguruar objektet e ministrive dhe qeverisë, dëmet e xhamave në ndërtesën e ekzekutivit i vlerëson 40 mijë euro.
Xhamat u thyen gjatë protestës kundër arrestimit dhe paraburgimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi dhe kërkimit në shtëpi nga policia të Albin Kurtit e Albulena Haxhiut më 18 nëntor.
Drejtori i Departamentit të Pasurisë dhe Garancioneve në kompaninë “Sigal” Agron Sylejmani tregon se nga gjuajtjet e asaj dite me gurë janë dëmtuar 11 xhama të ndërtesës qeveritare, ndërsa dëmi i saktë ende nuk dihet.
“Te ndërtesa e qeverisë kemi dalë dhe kemi inspektuar, ku kemi vlerësuar se janë 11 xhama të dëmtuar. Si dëm nuk kemi informacion të saktë sa mund të kushtojë, sepse fillimisht duhet të shikohet se çfarë lloj xhamash kanë qenë, duhet me i marrë specifikat e xhamave, por sipas vlerësimeve të para ne mendojmë se mund të sillet dëmi rreth 40 mijë euro”, tha Sylejmani për KALLXO.com.
Ministria e Administratës Publike të Kosovës në korrik 2015 ka lidhur kontratë me kompaninë “Sigal”, me qëllim të sigurimit dhe evitimit të dëmeve të objekteve të institucioneve publike qendrore në Kosovë.
Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MAP thotë se kjo ministri ende nuk e di vlerën e dëmit të shkaktuar nga thyerja e xhamave të ndërtesës së qeverisë, por tregon se ajo nuk do ta paguajë dëmin.
“Një gjë tash për tash është e njohur se dëmet më të mëdha edhe më parë, por edhe tash janë shkaktuar në ndërtesën e Qeverisë që ndodhet në Sheshin “Nëna Tereze”, pranë bustit të Skënderbeut. Për rastet e fundit ende nuk kanë dalë komisionet për të bërë vlerësimin,” shpjegon Bekolli.
Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka tregon numrin e të dyshuarve të arrestuar për dëmtimin e këtyre xhamave.
“Rastet janë hapur, 20 persona të dyshuar për dëmtim të xhamave janë ndaluar, sot bëhet kërkesa përcaktim të paraburgimit”, tha Beka të premten për KALLXO.com.
17 të arrestuarve të protestës tashmë u është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Analisti i çështjeve të sigurisë Naim Maloku tha për KALLXO.com se policia është dashur të krijojë perimetër të sigurisë në mënyrë që hedhësit e gurëve të mos arrijnë të dëmtojnë xhamat.
“Në rastet ku parashihet të jenë protestuesit më të dhunshëm, atëherë vendosen barrikadat e metalta. Mendoj që Policia e Kosovës është dashtë me i qit këto barrikada në një perimetër ku nuk mund të dëmtohen me gurë xhamat e ndërtesës së qeverisë,” tha Maloku.
Xhamat e këtij objekti qenë dëmtuar së pari nga shishet me ngjyrë të kuqe të hedhura nga aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” në demonstratën e organizuar më 28 nëntor 2006.
Këta xhama qenë thyer edhe në protestën e partive opozitare në janar të këtij viti për shkarkimin e ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe kthimin e “Trepçës” në ndërmarrje publike.
Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka për dy rastet tjera të thyerjes së xhamave të objektit qeveritar me gurë që ndodhën gjatë këtij viti, tha se janë në procedurë, pa saktësuar se deri ku kanë arritur këto procedura.