Lajmet e fundit

Kurti, Haxhiu e Topalli nuk do t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë

Ata janë të vendosur, nuk do të lejojnë të mbahet në normalitet asnjë seancë në Kuvendin e Kosovës, derisa Qeveria të anuloj marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Arrestimi i deputetes Donika Kadaj-Bujupi dhe fletëarrestet për tre deputetët e Vetëvendosjes, i quajnë antiligjor dhe si të tilla i krahasojnë me veprimet e Putinit në Rusi.

Kritikat e ndërkombëtarëve nuk duan ti shohin si shenjë kundër tyre. Ata janë të bindur se i kanë me të drejtë qëndrimet e tyre. Thonë se janë të bashkuar më shumë se asnjëherë.

I pari i partisë më të madhe opozitare, Visar Ymeri, thotë se Policia po ushtron dhunë dhe agresion ndaj opozitës me urdhra të Shpend Maxhunit e komandantëve të njësive policore, të cilët politikisht udhëhiqen nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

“Ata përveç arrestimit të njërës prej deputetëve, kishin ndërhyrë dhe kishin demoluar banesat e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Këto janë veprime të papranueshme për ne. Kjo përndjekje e opozitës duhet të përfundojë menjëherë”, ka thënë Ymeri. “Ky pushtet është i gatshëm që t’i vejë institucionet e Kosovës në funksion të një projekti i cili e shkatërron këtë Republikë. Projekt ky i Qeverisë i cili është materializuar në këto dy marrëveshje, atë për Zajednicën dhe atë për Demarkacionin”.

Lideri i VV-së thotë se reagimet e deritashme të opozitës kanë qenë përgjigje karshi brutalitetit të pushtetit të ushtruar ndaj opozitës. Ai tregon me 28 nëntor do ta organizojnë një manifestim i cili do të jetë i përqendruar në kundërshtimin e politikave të Qeverisë dhe marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Sipas tij, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, nuk do t’i përgjigjen kërkesës së prokurorisë për intervistim, meqë thotë se fletëarrestet e lëshuara janë antiligjore dhe antikushtetuese, “sepse nuk mund të arrestohen deputetët pa iu hequr paraprakisht imuniteti nga Kuvendi”. Madje, ai drejton gishtin nga Mustafa e Thaçi, për të cilët thotë se dhanë urdhër nga njëra prej skutave të Kuvendit në një seancë ilegjitime.

“Nëse Prokuroria ka ndërmarr një vendim që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet, atëherë natyrisht që një vendim i tillë nuk mund të respektohet”, shprehet Ymeri.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhënë para tri viteve rreth imunitetit të zyrtarëve të Qeverisë, Kuvendit, Presidencës, për Ymerin nuk mund të merret për bazë në këtë rast, meqë nuk është rasti i njëjtë sikurse ai kur EULEX-i kërkonte heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj që akuzohej për krime lufte.

Kundër veprimeve të opozitës kanë dal edhe ambasadorët e vendeve të fuqishme Quintit, çka për Ymerin janë vetëm pajtim me Qeverinë e cila “është fajtore pse nuk po e mbron shtetin dhe sovranitetin e vendit”. Ai nuk pranon se me këto deklarata diplomatët janë kundër tyre! Sipas tij, kur një shtet ta njeh të drejtën sovrane për ta qeverisur një territor të caktuar, siç ka ndodhur me SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, dhe mbi njëqind vende që e kanë njohur Kosovën, kjo nënkupton që është detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve tona që ta realizojnë këtë republikë dhe ta ndërtojnë në territorin e vet.

“Por, këtë nuk mund ta bëjnë ata që janë të zhytur në krim e korrupsion, e që shtetin e përdorin për rritjen e pasurisë së tyre private”, thotë Ymeri. “Pra problemi është te Isa Mustafa e Hashim Thaçi”

Kreu i VV-së i ka dhënë edhe një përgjigje ambasadores gjermane në Kosovë, e cila ka thënë se e gjithë kjo që po bënë opozita, ka një prapavijë që të mos lejohet themelimi i Speciales.

“I kisha lutur të gjithë këta që mendojnë që e kemi për pushtet, që e kemi për ta ndaluar themelimin e Gjykatës Speciale, që mendojnë se e kemi për këtë apo atë, le të na testojnë: le t’i tërheqin marrëveshjet dhe do ta shohin”, tha Ymeri, i cili ka ripërsëritur edhe një herë se ndalimi i Albin Kurtit javë më parë nga Policia, ishte kidnapim dhe atë e ka krahasuar me veprimet që përdor presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.