Pas akuzave nga PDK se MAPL po mbron kryetarin e Ferizajt,Muharrem Svarqa, ky i fundit ka reaguar përmes një komunikate, ku thotë se PDK e Ferizajt po ripërtyp pafundësisht pohime të pavërteta.
Në vazhdim mundë të lexoni komunikatën e plotë të kryetarit të Ferizajt,Muharrem Svarqa.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj, ripërtypi edhe një herë në fund të kësaj jave rrëfimin e saj për mua, për të gjithë ata ferizajas që eventualisht ende nuk e kanë dëgjuar, ndonëse po ky rrëfim, për gjoja shkeljet ligjore nga kreu i Komunës, po tregohet njëlloj përgjatë disa muajve, pandërprerë, me shpresë se do të besohet nga qytetarët, jo se ka gjë të vërtetë në të, por duke u mbështetur në efektin e përsëritjes.
Duke i rënë këtij avazi për një kohë kaq të gjatë, PDK e Ferizajt nuk po mund të besojë se nuk ka arritur që me pohimet e veta të mos ia mbush mendjen askujt, pos, eventualisht, tifozerisë së saj. Dhe, tashmë kur edhe instanca të larta shtetërore, siç është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ia ka bërë të ditur kësaj partie se zhurma e gjatë mediatike është e pavlerë, PDK e Ferizajt është gjendur në pozitë që së paku para tifozerisë së vet, të vazhdojë me avazin e akuzave të pabaza, madje kohët e fundit duke akuzuar edhe MAPL-në për dofarë falsifikimesh!
Për mua, është e kuptueshme përpjekja opozitare për të kritikuar qeverisjen, sepse kjo është puna e opozitës. Por nuk është aspak e kuptueshme, përse PDK e Ferizajt bllokoi dy herë gjatë verës punën e Kuvendit të Komunës, në mbledhjet kur po merreshin vendime shumë të rëndësishme, me të vetmin qëllim, që të përpiqet për t’i krijuar vetes hapësirë kritikuese. Me bllokimin e punës së institucionit më të lartë të Komunës, Kuvendin Komunal, në kohën kur shtroheshin për diskutim dokumente buxhetore, PDK ka bërë atë që po e bën opozita aktualisht në shkallë vendi, duke e bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës. Më pas e ka ngritur zërin për gjoja vonesa në miratimin e po këtyre dokumenteve, por zhurma e saj ka dalë vetëm si përpjekje për të faktorizuar individë brenda degës, për nevojat e grupit udhëheqës të saj.
Duke qenë se Dega e PDK-së në Ferizaj nuk e ka ndërmend të ndalet së përsërituri të njëjtat pohime, të cilat tashmë janë vërtetuar si të pavërteta edhe nga pushtetit qendror, e konsideroj se qytetarët e Ferizajt duhet kursyer nga ky komunikim shterp me këtë parti. Ajo le ta vazhdojë avazin e vet të pafund, mbase ka ndokush që edhe e beson. Unë nuk e kam ndërmend më të merrem me ripërtypjen e të pavërtetave të PDK-së së Ferizajt.
Muharrem Svarqa
Kryetar i Komunës