Kryetari i Komuës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka pritur sot disa përfaqësues të partive të ndryshme politike nga Kosova dhe Serbia.
Takimi është organizuar nga Fondacioni Friedrich Naumann Stiftung Fur Die Freiheit, të cilën përfaqësonte Dr. Minire Çitaku.
Ajo ka thënë se qëllimi i takimeve të këtij grupi politikanësh të rinj me përfaqësues të institucioneve komunale të Kosovës, është që ata të fillojnë dialogun ndëretnik për të përmirësuar raportet midis tyre dhe që të njihen për së afërmi me gjendjen nëpër komunat e Kosovës dhe përgjithësisht në Kosovë.
Sipas saj, ata gjatë takimeve me drejtues të komunave dhe vizitave që u bëjnë komunave, do të mësojnë për rezultatet e arritura në fusha të ndryshme të zhvillimit shoqëror, ekonomik, kulturor etj, si dhe me traditat dhe kulturat e këtyre mjediseve.
Kryetari Bahtiri fillimisht shprehu kënaqësinë e tij që po bisedon me të rinjtë që janë bashkuar dhe dialogojnë për të mirën dhe të ardhmen e tyre, për përmirësimin e raporteve ndëretnike dhe për këmbimin e përvojave të ndryshme.
“Para se të bëhem kryetar i komunës, në Mitrovicë ka pas probleme të mëdha ndëretnike, imazh jo të këndshme dhe krim të organizuar. Kam punuar shumë që këto probleme të tejkalohen dhe falë bashkëpunimit me drejtuesit e komunës në veri komunikimit me shqiptarë e serbë, sot kemi një gjendje stabile, qyteti është i qetë pothuaj sikur në komunat tjera të Kosovës. Madje në disa aspekte qëndrojmë edhe më mirë”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Politikanët e rinj, gjatë shtruarjes së pyetjeve kryetarit Bahtiri u interesuan për mundësitë e investimeve të përbashkëta të shqiptarëve e serbëve, punësimi në kompani të tjera, përfshirja e përbashkët të të rinjve në klube të ndryshme sportive etj, ka njoftuar Komuna e Mitrovicës, përmes një komunikate.
Pasi ju tha se kjo mund të ndodhë shumë shpejt, ju tha politikanëve të rinj se ata mund të angazhohen konkretisht në këtë drejtim, duke trasuar një rrugë të re të bashkëpunimit ndëretnik, për të mirën e tyre, për të ardhmen e përbashkët të tyre dhe të gjeneratave që do të vijnë, transmeton Klan Kosova.