Jazzeri Ilir Bajri, i ftuar në emisionin Jeta në Kosovë, vlerësoi se populli ka pasur pritje të mëdha nga shteti, ndërsa për ngjarjet e fundit tha se janë rezultat i një paaftësie kolektive si nga qeveria edhe nga populli.
“Pritjet i kemi pasur totalisht joreale, e në anën tjetër punën dhe aktivitetin e përditshëm e kemi pasur minimal. Gjithmonë ky është kombinim i rrezikshëm”, tha Bajri.
Ndërsa analisti Agon Maliqi vlerësoi se shoqëria gjendet në konfuzion dhe nuk po din si ta artikulojë shqetësimin. Ai tha se po vërehet një tendencë të shoqërisë për shkëputje nga skena politike.
“Frustrimi ekziston dhe është legjitim. Të rinjtë që dalin në protesta përballen me pabarazi”, tha Maliqi.
Por ai ka telashe me mënyrën se si po shprehet pakënaqësia.
“Nuk bën ta kontestojmë shtetin për shkak të preferencave politike… Polarizimi ekstrem po e bën shtetin të duket inekzistent”, tha ai.
Për sa i përket marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Maliqi ka thënë se nuk është kundër kësaj marrëveshjeje..
“Unë nuk mendoj që është marrëveshje e keqe”, u përgjigj Maliqi gjatë këtij debati.
Indiferencën e qytetarëve ndaj politikës e konsideroi të papranueshme Mimoza Shala, veterane e UÇK-së.
Por ajo ishte e ashpër ndaj drejtuesve të qeverisë së vendit për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Është e qartë që është diktaturë. Nëse shohim bilancin e të arrestuarve politikë me arrestimet kriminelëve, del shumë më i lartë numri i arrestimeve politike”, tha Shala.
Bujar Berisha, nga grupi Troja, është shprehur se situata nuk ka ndërruar shumë nga ajo që përshkruhet në njërën prej këngëve më të njohura të këtij grupi “Amaneti i Clownit”.
“Injoranca dhe kokëfortësia prodhon vetëm injorancë dhe kokëfortësi”, tha Berisha në referencë për protestat dhe trazirat që ndodhën ditët e fundit në Kosovë.