Një nëndetëse atomike misterioze ruse përpara brigjeve të Skocisë, ka vënë në alarm autoritetet britanike. Sipas të përditshmes Daily Telegraph, kërkimet për nëndetësen ruse vijojnë prej 10 ditësh. Autoritetet britanike kanë angazhuar mes të tjerash edhe fregatën “HMS Sutherland” në operacionet kërkimore, për të cilat është kërkuar edhe ndihma nga ajri e aviacionit francez, për shkak të mungësës së kapaciteteve të ushtrisë britanike.
Vetë ministria britanike e mbrojtjes konfirmoi se 10 ditë më parë ishte vënë re prania e një nëndetëseje nukleare ruse pranë brigjeve skoceze, e cila kishte qëndruar për një periudhë jo të shkurtër. Londra dyshon se rusët po përpiqen të grumbullojnë informacione mbi sistemin britanik të nëndetëseve, për t’i përdorur ndoshta në një përballje të mundshme në të ardhmen mes NATO-s dhe Rusisë. Veprimtari të ngjashme të nëndetseve ruse, sipas “Nju Jork Tajms” kanë vënë re pak kohë më parë edhe autoritetet norvegjeze në brigjet e tyre. Sipas të përditshmes amerikane, aktivitete të tilla të ushtrisë ruse janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, duke arritur nivelet e luftës së ftohtë.