Lajmet e fundit

Asgjësohen mbi 12 mijë rrënjë kanabis, 6 persona në pranga

Në kuadër të operacionit të koduar “Kadie”, mbrëmjen e sotme janë asgjësuar mbi 6 dynymë sera të kultivuara me kanabis sativa. Bima narkotike është gjetur e mbjellë në 4 sera në fshatin Kadiaj, rreth 5 kilometra nga qyteti i Lushnjës.

Nga të dhënat e para, aksioni policor ka nisur pasdite vonë dhe në përfundim të tij, bëhen të ditur edhe detajet, duke njoftuar saktësisht për asgjësimin e 12.470 rrënjëve kanabis sativa, për të cilat u arrestuan 6 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas një njoftimi për shtyp, në prangat e policisë kanë përfunduar nga 3 persona të dy familjeve, konkretisht Ferdinand, Xhuliano dhe Mimoza Kadillari, si dhe Zenel, Hajdar dhe Alban Arapi.

Ndërkohë në kërkim është shpallur shtetasi Kristaq Kadillari. Policia shton se, ende vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për t’ia kaluar më pas veprimet e mëtejshme proceduriale Prokurorisë së Lushnjës.

Në njoftimin e policisë thuhet se, bimët ishin me lartësi nga 40 deri në 60 centimetër dhe ishin në prag të vjeljes. Ndërsa, teknologjia që zbatohej për rritjen e tyre nga kultivuesit ishte e njëjtë me kulturën e domates, pasi ujitja kryhej me pika.

Kjo është hera e parë që kapet një numër i tillë bimësh, pikërisht kur mendohet se sezoni ka mbaruar. Serat, në të cilat kultivoheshin bimët narkotike, ishin fare pranë rrugës dhe në brendësi të fshatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.