Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Apelit, për ta mbajtur në paraburgim Donika Kadaj-Bujupin, si politik e që shënon hapin e parë nga demokracia drejt një sistemi diktatorial.
Gjykata e Apelit sot mori vendim që ta mbajë në paraburgim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, për masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në komunikatën e dërguar AAK-ja ka thënë se Kadaj-Bujupi po mbahet në burg pse mbajti betimin për mbrojtjen e shtetit, ndërsa kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.
Në komunikatën e AAK-së thuhet:
Gjykata e Apelit, sot paska vendosur të mos e lirojë Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së. Edhe vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit për ta mbajtur në paraburgim Kadaj-Bujupin, por edhe vendimi paraprak i Gjykatës Themelore duke i shqiptuar asaj këtë masë, s’kanë si të mos jenë vendime të ndikuara nga politika, që shënojnë një hap të parë nga demokracia parlamentare drejt një sistemi diktatorial.
Mustafa dhe Thaçi me vetëdije po e shtyjnë vendin drejt një krize edhe më të thellë!
Një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbahet në burg, por e ka vendin në Kuvend dhe kjo nuk do të mund të ndërrojë me kurrfarë vendimesh të gjykatave. Donika po mbahet në burg, pse e mbajti betimin për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Vendimet e tilla nuk janë as në funksion të drejtësisë e as të stabilitetit politik të vendit!
Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë me ngulm lirimin e saj, sepse ajo nuk mund të mbetet përgjegjëse për veprimet e saj politike në Kuvend, që kanë konsistuar në mbrojtjen e territorit dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vend të saj duhet të jenë ata që i kanë rrezikuar territor dhe që e kanë shkelur kushtetutën e vendit me Marrëveshjen për Asociacionin.