Gianni De Biasi i ka shkruar një letër babait të Adnan Januzajt të hënën, duke i kërkuar atij brenda mundësive një takim. Tekniku italian, nëpërmjet një deklarate që ka postuar dje në Facebook, ka sqaruar se mesazhin ia ka shkruar në shqip, në anglisht dhe në frëngjisht.
Abedin Januzaj nuk i ka kthyer përgjigje, kështu që dy ditë më pas De Biasi është përpjekur të kontaktojë sërish me babanë e futbollistit të Manchester United, por ky i fundit nuk i është përgjigjur.
“Lexoj me kënaqësi lajmin e letrës që zv/ kryeministri i Kosovës i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të bërë të mundur afrimin e Adnan Januzajt në Shqipëri dhe për ta veshur atë kuqezi. Por pikërisht të hënën që sapo kaloi unë i shkrova një mesazh babait të futbollistit në shqip, në anglisht dhe në frëngjisht. I kërkova me xhentilesë nëse kishte mundësi që ta takoja (babanë) dhe të diskutonim më pas së bashku nëse ishte e mundur që Adnani në të ardhmen të vishte fanellën e vendit të tij të origjinës. Të mërkurën provova t’i telefonoja, por nuk pata asnjë sukses, sepse nuk mora asnjë përgjigje.
Edhe sot nuk kam marrë një përgjigje, por shpresoj që të takohemi sa më shpejt. Mendoj se tani duhet dhe mund të bëhet ky takim, duke qenë se në mes është edhe kryeministri Edi Rama. Çdo sforco e bërë për kombëtaren tonë do të jetë e mirëpritur nga unë dhe nga tifozët që e duan Shqipërinë gjithnjë e më të fortë!”, ka shkruar dje në Facebook tekniku italian i kombëtares.
De Biasit nuk i ka lënë një shije të mirë heshtja e babait të futbollistit. Megjithatë, ai është i vendosur të takohet me babanë e Januzajt, i shoqëruar ndoshta edhe nga ndonjë delegacion shqiptar, ku të mund të jenë të pranishëm përfaqësues të federatës, ose edhe përfaqësues të qeverisë. De Biasi është i bindur të bëjë gjithçka që ka në dorë, me qëllim që talenti i Mançesterit të mund të vishet kuqezi.