Lajmet e fundit
Çitaku preshevarëve: Nuk jeni vetëm

Çitaku preshevarëve: Nuk jeni vetëm

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ishte për vizitë në komunën e Preshevës. Në kuadër të kësaj vizite Çitaku u takua me kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, dhe diskutuan për gjendjen aktuale në Komunën e Preshevës dhe sfidat e të gjithë qytetarëve shqiptarë në këtë zonë. Ajo premtoi financimin e themelimit të një biblioteke për qytetarët e kësaj zone.

Çitaku e siguroi Mustafën se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështesë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Jam shumë e lumtur që po e vizitoj Preshevën, për herë të parë në cilësinë e Ministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ju faleminderit shumë për mikpritjen. Me këtë rast dua edhe një herë të theksoj se qeveria jonë është e vetëdijshme për situatën e shqiptarëve në komunën tuaj dhe se ne do ta bëjë të pamundurën që në çdo aspekt të ndihmojmë dhe përkrahim qytetarët tuaj. Dua ta dini se nuk jeni vetëm”, tha ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa e falënderoi ministren Çitaku për vizitën e saj dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevë.

Çitaku po ashtu vizitoi edhe shkollën fillore “Selami Hallaçi” ku bëri një donacion simbolik të librave shkollor për nxënësit e kësaj shkolle dhe me këtë rast bëri publik zotimin e Qeverisë së Kosovës për financimin e themelimit të një biblioteke për qytetarët e kësaj zone.

Ministrja përfundoi vizitën e saj me një takim me të rinjtë shqiptarë nga shoqëria civile e kësaj treve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.