Kosova e ka kaluar testin e saj evropian, duke organizuar zgjedhje të lira, fer dhe demokratike në tërë territorin e Kosovës, ka thënë kryeministri Thaçi. Madje, ai, e ka quajtur historike mbajtjen e këtyre zgjedhje në tërë territorin, gjë që ka ndodhur për herë të parë që nga paslufta.
Thaçi, në një konferencë të organizuar, ka thënë se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, qytetarët e Kosovës, pa marr parasysh etninë, grupacionin politik, patën rastin të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik ku ata jetojnë.
Kreu i qeverisë së Kosovës, ka pohuar më tutje se, Kosova kaloi testin e pjekurisë duke organizuar zgjedhje të lira, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, raporton KP.
Ndërsa, kërkesën e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vucic për të hyrë me forcat e saj në veri, për ta qetësuar gjendjen, Thaçi e ka quajtur qesharake, dhe të parealizuar.
“Vlerësoj se ka qenë një deklaratë qesharake, krejt e pakuptimtë dhe e parealizueshme, ka qenë me karakter elektoral dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kurrë, sepse, Kosova ka forcën e saj të sigurisë”, tha ai.
Ndërsa, duke folur për incidentet në veri, kreu i ekzekutivit është shprehur se po të mbeteshin ato qendra votimi deri në orën 19:00 dalja do të ishte më e madhe. Por, Thaçi, i ka quajtur incidente të izoluara ngjarjet që kanë ndodhur në veri gjatë procesit të votimit, por, sipas tij, pjesëmarrja e qytetarëve serb në veri, ka legjitimuar definitivisht marrëveshjen e 19 prillit të këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka shprehur besimin e tij se incidente të tilla nuk do të paraqiten në balotazh, por, ata, si institucione dhe si shtet do të marrin masa.