Komunitetet pakicë kanë kërkuar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu që t’iu mundësohet një numri të studentëve nga komunitetet që të regjistrohen në UP, sepse janë lënë jashtë në afatin e parë.
Madje, ata kanë quajtur diskriminim mos hapjen e konkursit në afatin e dytë për ta plotësuar kuotën që ka UP-ja për komunitetet. Por, Bajrami e Zejnullahu në mbledhjen e Komisionit për Komunitete dhe Kthim, thanë se numri i atyre që kanë mbetur jashtë nuk është pse ka dashur dikush, por pse nuk i kanë plotësuar kushtet, transmeton ksp.
Deputeti nga komuniteti boshnjak, Qerim Bajrami tha se me vjet të tëra, janë regjistruar nga 20 deri 30 studentë nga të gjitha komunitetet, që do të thotë vetëm 10 për qind të vendeve të rezervuara janë plotësuar.
Ndërsa deputeti i komunitetit egjiptian, Veton Berisha ka kërkuar nga ministri Bajrami dhe rektori Zejnullahu që t’iu jepet mundësi komuniteteve që të regjistrohen në UP, sepse ata nuk po kërkojnë mëshirë, por mundësi.
Madje, Berisha nuk ka dashur që përjashtimin e komuniteteve nga konkursi i dytë të jetë bërë si shkak i rritjes së cilësisë, për të cilën gjë ka përgëzuar këmbënguljen e rektorit.
Ndërsa, deputeti nga komuniteti shkali, Danush Ademi tha se UP-ja dhe Ministria e Arsimit po ua merr një të drejtë komuniteteve që së paku edhe ata të jenë në bankat shkollore sikurse të tjerët duke mos ua dhënë të drejtën që të regjistrohen në konkursin e dytë.
“Sipas statistikave që kemi, janë 328 vende që kemi të rezervuara, 86 për boshnjak, 73 për turq, për romë 47, ashkali 47 dhe 47 janë egjiptianë. Kjo është një e drejtë që vazhdimisht kemi kërkuar”, tha Ademi.
Mirëpo, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i UP-së “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu u janë përgjigjur shqetësimeve të deputetëve të komuniteteve, duke thënë se në asnjë moment nuk i kanë diskriminuar komunitetet.
Ministri Bajrami tha se asnjë shtet i rajonit nuk ndanë bursa me shumë se sa Kosova për nxënësit e komuniteteve, që tregon se po kujdesën mjaftë shumë për ta.
“Dëshiroj të theksoj se ne qysh sot kemi nënshkruar kontratën për furnizimin me libra, besoj e keni marr vesh. Dhe ky është një kujdes i shtetit, duhet të falënderohesh sepse ne nuk kemi mundësi nga Bosnja të marrim asnjë vizë qoftë për të shkuar në një konferencë shkencore, qoftë për të çuar një student atje. Kurse, ne kemi marr libra me para nga shteti pa iu nënshtruar vlerësimit të kurrikulave dhe i kemi shpërndarë të studentët boshnjak. Kjo është diçka që e bënë vetëm Kosova me një vullnet të mirë”, tha Bajrami.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Ramadan Zejnullahu ishte paksa më i ashpër, duke iu thënë atyre që të mos bëjnë akuza dhe të përdorin etiketime të ndryshme.
Zejnullahu tha se kanë dhënë kuota, por të gjitha përpjekjet që po i bëjnë që të kenë një shkollë cilësore, ende nuk e kanë, dhe ata nuk po tregojnë rezultate. Sipas tij, askush nuk i ka diskriminuar komunitetet, por mos regjistrimi i tyre ka ardhur si pasoj e mos arritjes së rezultateve. Madje, tha se zyrat për komunitete kanë keqpërdorur lëshimin e certifikatave, pasi ua kanë lëshuar shumë shqiptarëve certifikata të tilla për ta shfrytëzuar kuotën.
“Në të kaluarën keni dhënë vërtetime në zyrën e komuniteteve, mjaft keni dhënë shqiptarëve dhe ka qenë një lloj biznesi. Ju them të drejtën se unë kam informacione në mjekësi që janë dhënë vërtetime shqiptarëve që i takojnë komunitetit romë, ashkali e tjera. Dhe, ju së pari duhet t’i sqaroni problemet brenda vetvetes. Edhe një herë duhet të mendojmë që këta nuk kanë mbetur jashtë 328 pse dikush ka dashur t’i lënë jashtë, por pse s’i kanë plotësuar kushtet. Dhe, kanë pasur mundësi në afatin e dytë, pa marr parasysh se nuk është shpall konkursi të garojnë në plotë drejtime ku me 12 pikë do të pranoheshin pa u paraqitur fare se janë të komuniteteve”, tha Zejnullahu.
Sipas rektorit Zejnullahu, komunitetet po të garonin në drejtimet si infermieri, makineri apo diku tjetër ata do të pranoheshin vet, sepse përpos kuotës ata e kanë të drejtën edhe jashtë kuotës të konkurrojnë.
Por, sipas tij, komunitetet janë duke u fokusuar në fakultete specifike siç janë Mjekësia, Shkencat Politike, e tjera, ku është më vështirë të regjistrohen.