Lajmet e fundit
Të bëhet më shumë për komunitetet RAE

Të bëhet më shumë për komunitetet RAE

Kosova ka shënuar progres në zbatimin e strategjisë për integrimin e komuniteteve, por se ende ka punë për t’u bërë në këtë drejtim. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, ku u diskutua për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, “Gjendja e tanishme, Politikat dhe Angazhimet pas vitit 2015”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku tha se Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar në ndërtimin e një shteti shumëetnik. Çitaku tha se është punuar për integrimin e komunitetit RAE, por se ka nevojë që të rritet vëmendja në nivelin lokal dhe koordinimi me nivelin qendror, për përmbushjen e objektivave.

Ajo foli edhe për sfidat, të cilat janë evidentuar gjatë tërë procesit, e që mbetet koordinimi në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, por edhe koordinimi i brendshëm brenda drejtorive komunale, lidhur me punët rreth zbatimit të strategjisë.

“Kjo strategji ka për qëllim kryesor përmirësimin e kushteve të jetës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe krijimin e një kontesti politik, social-ekonomik dhe kulturor që forcon identitetin e tyre, respekton dhe mbron vlerat historike të këtyre komuniteteve. Deri më sot, kemi shënuar progres në zbatimin e strategjisë, por, ky progres nuk është i kënaqshëm. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë shumë më shumë për të integruar komunitetin jo shumicë. Dhe, për të arritur këtë qëllim, është i nevojshëm një koordinim më i mirë në të gjitha nivelet”, tha ajo.

Çitaku, e cila është dhe kryesuese e Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për zbatimin e strategjisë për integrimin e komunitetit RAE, tha se detyrë e saj mbetet përshpejtimi i zbatimit të kësaj strategjie, me qëllim që të arrihen rezultatet konkrete në terren, e të cilat do të ndikonin në ndryshime pozitive për këto komunitete.

Ndërsa, Pierre Mirel, përfaqësues i Komisionit Evropian tha se për implementimin e kësaj strategjie, duhet bashkëpunim i mirë mes komunitetit qendror dhe lokal. “Është problem respektimi i të drejtave. Koordinimi dhe bashkëpunimi i mirë mes nivelit lokal dhe qendror dhe është esencial, por se kjo është një mesazh për romët, ashkalitë dhe egjiptianët që të kërkojnë nga autoritetet qendrore dhe lokale që të respektohen dhe të kenë me tepër mbështetje financiare dhe të kenë kujdes sa i përket edukimit. Është përgjegjësi e përbashkët e autoriteteve lokale dhe qendrore, pasi që kjo është një punë ekipore”, tha ai.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2008, Qeveria e Kosovës, ka aprovuar strategjinë për integrimin e komuniteteve RAE, të përcjellë me planin e veprimit për këtë strategji, periudhën 2009-2015, e cila është aprovuar në vitin 2009.

Leave a Reply

Your email address will not be published.