Fituesit e vetëm të zgjedhjeve të 3 Nëntorit janë qytetarët e Kosovës. Drejtori i Institutit për hulumtime politike “Kipred”, Ilir Deda, ka thënë në një intervistë për gazetën Tribuna se mbarëvajtja e zgjedhjeve ka bërë që shoqëria kosovare ta japë testin e shtetndërtimit.
Tek ka komentuar rezultatet e partive politike, ai ka thënë se nuk ka të fituar por të ndëshkuar. Sipas Dedës, janë ndëshkuar ata që kanë qeverisur derisa pret që i njëjti trend të vazhdojë edhe në zgjedhjet nacionale. “Nëse e shohim 98 për qind të gjithë trupit votues poshtë lumit Ibër, mund të themi se i kemi zgjedhjet më të rregullta në gjashtë vitet e fundit në Kosovë.
Ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm të partive politike, shoqërisë civile, të mediave, që të mos lejojnë keqpërdorimin e votës së qytetarit, gjë që edhe nuk ka ndodhur dhe ka pasur një dalje masive që është më e larta në 12 vitet e fundit nga viti 2001 të popullatës në shumicën e Komunave në Kosovë.
Kjo edhe tregon vullnetin e popullit tonë që të ndëshkojë ata që i kanë keqqeverisur. Është shumë me rëndësi të themi se populli ynë dhe ne si shtet e kemi kaluar testin demokratik, kemi treguar se jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira, fer, rezultat i cili do të pranohet nga të gjithë. Në të njëjtën kohë e kemi një hije në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri, ku edhe i është dhënë një shuplakë marrëveshjeve të Brukselit si dhe Bashkësisë Ndërkombëtare e cila e ka marrë obligimin për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, ndërsa në Jug kemi dalje masive të popullatës serbe dhe zëvendësimin e partisë Liberale të Pavarur Serbe me Listën Serpska dhe instalimin e partisë të sponsorizuar dhe ndihmuar nga Beogradi gjithandej në Jug të Kosovës dhe Partia Serpska tash del të jetë partia dominonte”, thekson Dedaj