Tri partitë opozitare kanë shpalosur sot planin e tyre për manifestimin e nesërm duke thënë se 28 nëntori është vendosur qëllimisht që të jetë ditë tubimi në të cilën ata do të kundërshtojnë marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.
Me këtë rast, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Palë Lekaj nga AAK dhe Bilall Sherifi i Nisma-së për Kosovën kanë thënë se ky do të jetë tubimi më i madh i organizuar në Kosovë që nga paslufta.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca nuk ka pranuar të tregojë se nëse tre deputetët, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli që po i kërkon policia do të marrin pjesë në ngjarjen e së shtunës duke shtuar se me këtë po i iket paralajmërimit të policisë se kudo që has në ta do t`i arrestojë.
Sipas tij, pjesëmarrja e Kurtit, Haxhiut e Topallit në këtë tubim do të jetë befasi.
Konjufca duke folur për organizimin e tubimit të nesërm tha se ardhja e qytetatëve nga vendet të tjera është organizuar të bëhet me autobus, ndërsa 1 mijë persona janë përgjegjës për mbarëvajtjen e aktivitetit.