Real Madridi është në “pole position” për të nënshkruar me Luis Suarezin- por ata duhet të presin deri në fund të sezonit për ta transferuar uruguaianin në kryeqytetin spanjoll.
Goal.com ka mësuar se gjigantët spanjollë kanë shprehur interesim jozyrtar për Suarezin, derisa ata janë duke tentuar të përforcojnë fazën e sulmit.
Megjithatë, transferimi i tij në muajin janar nuk mund të ndodhë shkaku i mungesës së fondeve tek Madridi dhe Liverpooli nuk dëshiron ta shesë lojtarin kryesor në mes të sezonit. Por “Mbretërit” janë gati ta bëjnë Suarezin cakun kryesor në tregun e transferimeve për afatin kalimtar veror, kur sulmuesit i mbesin vetëm dy vjet kontratë me klubin nga Anfieldi.
Karim Benzema është i vetmi qendërsulmues në Santiago Bernabeu pas shitjes së Gonzalo Higuain ndërsa prioritet i klubit në fund të sezonit mbetet përforcimi i sulmit.
Liverpooli është i vendosur që të refuzojë çdo ofertë që vije për sulmuesin gjatë afatit të janarit dhe pranuan se janë duke luftuar që ta mbajnë në klub për më shumë kohë uruguaianin.
Ata këtë verë refuzuan 47 milionë plus 1 euro nga Aresenali pasi “topçinjtë” besonin se oferta do të ishte e mjaftueshme për të paguar klauzolën e tij që lojtari e nënshkroi në vitin 2012.
“Redsat” me çdo kusht tentojnë që të mos e shesin sulmuesin te Arsenali, që është shumë i interesuar për transferimin e një qendërsulmuesi. Ata përveç Suarezit kanë shprehur interesim edhe për Fernando Llorenten e Stephan El Shaarawyn.
Për përkrahësit e Liverpoolit do të ishte më e pranueshme nëse Suarez shitet nga një klub jashtë Anglisë, sidomos një klubi si Madridi që ka prestigj dhe histori.