Lajmet e fundit

Selmanaj : 28 Nëntor 2015

28 Nëntor 2015

Shpetim Selmanaj

Festa e 28 Nëntorit të vitit 2015 do të jetë sipas gjase një prej më të çuditshmeve që shqiptarët kanë festuar në historinë e tyre më të re. Kjo nuk vlen aq për shqiptarët e Shqipërisë apo Maqedonisë por edhe Malit të Zi e Luginës sa për qytetarët e Republikës së Kosovës. A kemi nevojë me rastin e kësaj feste ta përsërisim pyetjen që jo rrallë, politikanët tanë- gjithandej në Ballkan dhe sidomos Kosovë, dhe kur them politikanët atëherë mendoj sidomos në pushtetarët dhe partitë e tyre që Qeverisin, kur thonë: kombi shqiptar dhe sidomos shqiptarët e Kosovës kurrë s’kanë qenë më mirë! Kosova është bërë shtet, liria dhe pavarësia i kanë hapur rrugën për integrime evropiane vendit tonë, sjelljen e investitorëve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo gjuhë e përdorur nga partitë në pushtet fakt është që përsëritet çdo ditë dhe çdo vit. Pra që jemi më mirë se kurrë dhe që kemi synimet për integrimet evropiane- duke filluar nga liberalizimi i vizave e deri te anëtarësimi në BE e NATO.
Po. Është e vërtetë që kombi shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët e Kosovës në veçanti kurrë s’kanë qenë më mirë. Por edhe kurrë s’kanë qenë më keq. Kjo pjesa e dytë e këtij pohimi natyrisht që nuk përmendet nga qeveritarët e Kosovës. Nuk thuhet sepse ata për vete janë mirë por fakt është që Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, me papunësinë, varfërinë, mungesën e investimeve dhe shkallën e korrupsionit më të lartë në kontinent!
Pyetja që shtrohet me këtë rast është e thjeshtë. Pse? Pse pra jemi kaq mirë dhe në të njejtën kohë kurrë më keq?!
Përgjigja është shumë e shumë e thjeshtë. Sepse partitë në pushtet, Qeveria aktuale por edhe ato të mëparshmet thjesht s’kanë dashur kurrë që ta kuptojnë që lufta e kombit shqiptar në përgjithësi dhe shqiptarëve të Kosovës në veçanti s’ka filluar as me lëvizjen e Ibrahim Rugovës e as me formimin e LDK-së. Lufta e shqiptarëve të Kosovës nëse doni s’ka filluar as me formimin e UÇK-së. Sepse si njëra ashtu edhe tjetra lëvizje kanë qenë pjesë e vazhdimësisë së krejt shqiptarëve të çizmja serbe të shkulet nga Kosova njëherë e përgjithmonë. Gjë e cila edhe ngjau. Si produkt i një përpjekjeje të pashoqe dhe pashembullt në Evropë kur po UÇK-ja e formuar si antipod i LDK-së pasive dhe joproduktive, u bë aleate e popullit tonë dhe perëndimit në mënyrë që me një heroizëm të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të këtij vendi edhe të arrihet çlirimi i vendit. Janë me qindra e qindra dëshmorë e martirë të këtij vendi nga të gjitha rajonet, fshatrat e qytetet e Kosovës që amanet të fundit kanë patur vazhdimin e luftës deri në çlirim. Dhe të mos jemi naiv e kujtojmë që kur me fjalët e tyre të fundit kanë folur për çlirimin atëherë kanë menduar në vetëm shporrjen e Serbisë nga Kosova. Jo. Amanetet e heronjve e dëshmorëve të këtij vendi kanë qenë që virtyti i luftës në liri të shprehet edhe në paqe. Për t’i dalë Zot vendit: me punë e djersë derisa edhe ne të bëhemi pjesë e civilizimit perëndimor.
Dhe sot, në vitin 2015, si asnjëherë më parë shohim sesi partitë në pushtet- dhe me këtë Qeveritarët jo vetëm i kanë harruar ato amanete por po bëjnë çdo gjë që të harrohet dhe sidomos shkelet ajo e kaluar. Që interesi i tyre i parë dhe i fundit është mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Dhe atë duke i falur tokën e përgjakur të këtij vendi fqinjit malazez dhe njëkohësisht duke e hapur derën e pasme të Republikës së re për ta kthyer Serbinë në këtë vend me dhuratën që quhet “Zajednicë”!
Pse, pse po i bëjnë këto kompromise është pyetja që ndoshta edhe dëshmorët që dhanë jetën për këtë vend nga varret ku po pushojnë përjetësisht mund të na pyesin!? Sepse janë bërë bashkë dreqi dhe i biri. Sepse kanë vjedhur, po vjedhin dhe e kanë ndërmend të vjedhin dhe rropatin çdo gjë në këtë vend dhe për të mos u ballafaquar me atë realitet po bëjnë dhurata edhe për Podgoricën e edhe për Beogradin, është përgjigja e thjeshtë!
Dhe, sepse del ashiqare që e kaluara e këtij vendi është e tashme. Varrezat e mijëra e mijëra njerëzve të pafajshëm të këtij vendi bashkë me martirët që dhanë jetën në mbrojtje të tyre dhe për lirinë tonë- ende janë aq të freskëta sa ne, i madh e i vogël, në këtë vend do t’i themi jo kësaj tradhtie dhe jo këtij pushteti- në të cilin bashkë janë bërë edhe dreqi edhe i biri!
Ky 28 Nëntor i vitit 2015 do të jetë si asnjë tjetër prejse gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. Do të jetë 28 Nëntori i cili do të shënohet në historinë e re të kombit si dita kur vendi ynë gjeti shteg të ri dhe shpresë për të ardhme për të gjithë ne! Pa dreqin dhe pa të birin në pushtet!

Leave a Reply

Your email address will not be published.