Pasdite fillon verifikimi dhe numërimi i fletëvotimeve nga katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në procesin e verifikimit duhet të jenë të pranishëm edhe komisionerët e qendrave të votimit të asaj pjese dhe në rast të mosparaqitjes së tyre, KQZ pohon se ka të drejtë t’i zëvendësojë ata.
Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën të dielën, për kryetarë komunash dhe kuvende komunale, si rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit, në prill të këtij viti.
KQZ ka dalë me rezultate preliminare të hënën mbrëma, duke mos i përfshirë komunat në veri.
Grupe personash të maskuar kanë sulmuar të dielën disa qendra votimi, kryesisht në veri të Mitrovicës, duke bërë që ato qendra të mbyllen para kohe.
Materiali zgjedhor nga këto qendra, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjendet në Prishtinë, por që ende duhet parë deri në ç’masë është i dëmtuar.
Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ndërkaq, e akredituar nga KQZ për të lehtësuar procesin zgjedhor në veri, materiali nga Mitrovica e Veriut ka humbur, pas tërheqjes së vëzhguesve të këtij misioni, për shkaqe sigurie.
Sidoqoftë, pas procedurës së verifikimit, për fletëvotimet që mund të cilësohen si të parregullta, KQZ do të marrë një vendim sipas ligjeve në fuqi. Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave pritet të përfundojë të martën, në mesnatë.