Planifikimi i institucioneve të Kosovës që regjistrimi i popullsisë në veri të vendit të realizohet në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ka gjasa të dështojë.
Ky proces që konsiderohet se është në interesin e të gjithëve të kenë në dispozicion statistika të sakta me qëllim avancimin e planeve dhe programeve zhvillimore në nivel lokal, por po kundërshtohet nga përfaqësuesit politik të serbëve në veri të Mitrovicës, si dhe qytetarët e asaj pjese.
Ata janë të një mendimi rreth bojkotimit të regjistrimit të popullsisë të organizuar nga institucionet e Kosovës, duke konsideruar në këtë mënyrë se popullata serbe e shpërngulur pas luftës, duhet të kthehet së pari në Kosovë, dhe pastaj të bëhet regjistrimi.
Avni Kastrati, shef i Divizionit për statistika të popullsisë në Agjencicinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë përmes telefonit se po planifikohet që regjistrimi i popullsisë në veri të vendit të realizohet ndoshta në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Në anën tjetër, Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, ka pranuar se regjistrimi i popullsisë është dashur të mbahet shumë më herët, duke fajësuar pushtetin qendror dhe lokal për mos mbajtjen e këtij regjistrimi.
Sipas saj, për të ardhur deri tek të dhënat e sakta statistikore në lidhje me regjistrimin, duhet që më shumë të punohet rreth kthimit të mbi 300 mijë serbëve të cilët janë shpërngulur nga Kosova, për çka siç tha ajo, është punuar shumë pak.
Edhe Ivan Antiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, theksoi se akoma nuk janë krijuar kushtet për regjistrim të popullsisë në veri, për shkak të numrit të madh të qytetarëve serbë të shpërngulur nga Kosova.
KosovaPress ka provuar për disa ditë të marr mendimin edhe të kryetarit të Komunës së veriut të Mitrovicës Goran Rakiq rreth kësaj çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ndryshe, procesi i regjistrimi të popullsisë dhe ekonomive familjare në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës kishte dështuar më herët për shkak se serbët e asaj pjese kishin refuzuar të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011.