Policia franceze ka arrestuar një grup trafikantësh shqiptarë, pasi trafikonin njerëz nga brigjet e Francës në ato të Anglisë. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike “Daily Mail” e cila ka publikuar fotot e një gomoneje që kishte sjellë emigrantë në zonën e Kentit, në jug të Anglisë. I rekrutuari për të ndërmarrë këtë operacion trafikimi mësohet se është francezi David Turpin, i cili ishte fotografuar nga banorë të Kentit mbi gomone sapo ka mbërritur në brigjet angleze .
Sipas britanikes “Daily Mail”, Turpin sapo kishte sjellë një grup emigrantësh nga zona e Calais (Kale) në Francë, të cilët kishin paguar 10 mijë stërlina secili.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai ishte shprehur se kishte ngatërruar rrugën gjatë natës në det dhe se gomonia i ishte prishur në zonën e Kentit, ndërsa nuk ka dhënë sqarime për 16 jelekët e shpëtimit që u gjetën në gomone. Turpin u arrestua në zonën Dunkirk në Francë, së bashku me 5 persona të tjerë, të përfshirë në një rrjet trafikimi njerëzish të drejtuar nga shqiptarë. Secili nga pjesëtarët e grupit të trafikantëve rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg.(SN)