Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi ka reaguar pas marrjes së vendimit të Kryesisë së Kosovës, që të suspendoj opozitën nga pjesëmarrja në seancat e Kuvendit. Demi përmes një shënimi në Facebook ka theksuar se nëse do të ndodhte kjo, atëherë sipas tij, a do të ishte kjo veprimtari e Kuvendit konform Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë parlamentare?
Ky është shënimi i tij i plotë:
Ta zëmë se deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 2018, Kryetari i Kuvendit dhe partitë e koalicionit arrijnë që të mbajnë seanca plenare pa praninë e deputeteve të opozitës, qoftë duke i blloku ata që të marrin pjesë në sallën kryesore të seancave, qoftë duke i mbajtë ato në sallat alternative apo edhe duke i arrestu e burgos deputetët, e në këto seanca aprovohen ligje, buxheti, strategji, marrëveshje ndërkombëtare.
A do të ishte kjo veprimtari e Kuvendit konform Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë parlamentare? Si mundet një Kuvend dhe një Qeveri me pretendu se kanë ushtru një mandat demokratik, duke ia pamundësu pjesëmarrjen në seanca tërë deputetëve opozitarë?
Ashtu sikurse deputetët e opozitës janë duke shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit, njashtu edhe Kryetari i Kuvendit dhe Presidentja janë duke shkelë Kushtetutën me te dy këmbët. I pari duke mos leju deputetët të marin pjesë në seancë, pa ju marr atyre imuniteti konform nenit 75 të Kushtetutës. E dyta duke nënshkru vendimet e Kuvendit të dala nga seancat të cilat përjashtojnë deputet të partive parlamentare.
Sipas Parimeve të Përgjithshme Etike për anëtarët e parlamentit, dokument i Organizatës Botërore të Parlamentarëve Kundër Korrupsionit, neni 1.1 thuhet: “Deputetët e parlamentit duhet të respektojnë dhe mbrojnë kushtetutën, ligjet dhe rregulloret e vendit, përveç në raste të vecanta kur ju lejohet mos bindja qytetare në rastet kur që kanë të bëjnë me mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”
Duke u mundu me e luajt normalitetin, bartësit e institucioneve publike vetëm se po e thellojnë krizën e demokracisë në këtë vend.