Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka organizuar tryezën me temë “Ecuritë demografike, migracioni dhe Diaspora Kosovare”, në të cilën u vlerësuan ndikimet e migrimeve, pozitive e negative, në fushat e edukimit, shëndetësisë dhe ekonomisë.
Besnik Krasniqi ka prezantuar rezultatet preliminare të raportit të zhvillimit njerëzor me temën “ Migrimi si forcë për zhvillim në Kosovë”, për strategjitë e ministrive si ajo e Diasporës dhe e Punëve të Brendshme, dhe qeverisja qendrore.
Krasniqi, si autor i këtij kapitulli, ka thënë se për të analizuar më mirë, dhe për të ardhur deri të konkluzione të qëndrueshme lidhur me potencialin e zhvillimit njerëzor dhe ndërlidhjen e tij me mobilitetin, kanë bërë disa projeksione që janë bazuar kryesisht në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, dhe në të dhëna nga anketat e ndryshme të organizuara nga UNDP-ja dhe organizata të tjera hulumtuese.
“Arsyet kryesore të migrimit nga Kosova kanë qenë lidhjet familjare të njerëzve që faktikisht kanë ndiku për migracion, edhe me lehtësu migrimin e njerëzve të Kosovës jashtë, edhe për arsye të punësimit. Tash nëse bëjmë krahasime me tendencën e njerëzve që janë për me u kthy edhe mundësitë e punësimit në Kosovë, që po shkojnë me shku njerëzit për shkak të mungesës së punësimit, duhet ndoshta me u bo edhe analiza tjera, edhe me u pa se qysh mundet me u absorbu ky potencial”, ka thënë Krasniqi.
Avni Kastrati, nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, ka thënë se do të mbështesin hulumtuesit me të dhënat që posedojnë, duke i siguruar për bashkëpunim në të ardhmen. “Është një problem ndërkombëtarë të definohet kush është diasporë, sepse ata që shkojnë atje, që lindin atje, e kanë një prind. Në bazë të ligjit, me sa e di për diasporën nëse e ke një prind nga Kosova, t’i je diasporë. Por gjenerata e dytë apo e tretë që kanë lindur, është problem, edhe unë i inkurajoj të gjithë hulumtuesit e migracionit, sepse ndoshta vjen deri të zbërthimi apo definimi më i qartë për diasporën”, është shprehur Kastrati.
Raporti i ka pesë kapituj dhe kjo ka qenë tryeza e fundit për diskutim të këtij raporti para publikimit të rezultateve përfundimtare.