Mbi 150 liderë botërorë janë mbledhur në Paris për Samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara. Shefat e shteteve dhe qeverive në samitin 2 javësh do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të re që synon frenimin e rritjes së temperaturave mbi 2 gradë celsius dhe çlirimit të gazrave të dëmshëm.
Presidenti i Francës Francua Hollande nënvizoi se lufta kundër terrorizmit duhet të zhvillohet paralelisht me luftën kundër ngrohjes globale.
“Luftën kundër terrorizmit nuk mund ta vini përballë luftës ndaj ngrohjes globale. Ato janë dy sfida globale që duhet ti kapërcejmë me qëllim që fëmijëve tanë t’u lëmë diçka më shumë nga një botë e çliruar nga terrorizmi, ne jemi të detyruar t’u lëmë dhe një planet të mbrojtur nga katastrofa. Një planet të shëndoshë”, u shpreh Hollande.
“Parisi duhet të shënojë një pikë kthese. Ne kemi nevojë që bota ta dijë se jemi të vendosur për zvogëlimin e çlirimit të gazrave, të ardhme përtëritëse për klimën, nuk ka kthim prapa. Ky është një fillim shumë i mirë por ne duhet të veprojmë më shpejtë, nëse duam të kufizojmë rritjen e temperaturave globale mbi 2 gradë celsius”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun.
Pavarësisht dallimeve, Presidenti i SHBA-së Barak Obama porositi se ndryshimet duhet të bëhet tani.
“Kjo përbën pikë kthese, ky është momenti ku përfundimisht shprehim përcaktimin për të shpëtuar planetin. Erdha këtu personalisht si lider i ekonomisë më të madhe botërore dhe vendi i dytë në botë që çliron gazra të dëmshëm, të them se SHBA jo vetë që njeh rolin e saj në krijimin e këtij problemi por ne pranojmë përgjegjësinë për të bërë diçka rreth këtij problemi”, tha Obama.
Samiti në Paris mbahet nën masa të jashtëzakonshme të sigurisë, pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit, që lanë të vdekur 130 persona. Policia franceze gjithashtu një ditë më parë arrestoi 208 persona pas protestave që u përshkallëzuan në dhunë mes demonstruesve dhe forcave policore.