Për vitin 2014, me projekt buxhetin e miratuar nga Qeveria e Kosovës javën që shkoi janë paraparë 1 miliard e 590 milionë euro shpenzime. Tash pritet miratimi i tij nga Kuvendi i Kosovës, në të cilin nuk përfshihen të hyrat nga shitja e PTK-së, siç ka pohuar ministri i Financave, Besim Beqaj, e as vendimi për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.
Befasi, në tabelat e planifikuara nuk duket të jenë rritja buxhetit për paga, e proklamuar gjatë gjithë vitit, sa zvogëlimi i investimeve kapitale e rritja e shpenzimeve për mallra e shërbime.
Për vitin 2014, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe mëditje, janë paraparë të jenë 483 milionë euro nga 435 milionë euro sa ishin këtë vit, apo 11 për qind më shumë.
Ndërkaq, shpenzimet kapitale në mot do të jenë 91 milionë euro më pak se këtë vit. Në këtë kategori për vitin 2014 janë paraparë të jenë 530 milionë euro nga 621 milionë euro sa ishin në vitin 2013. Shpenzimet për mallra dhe shërbime në vitin 2014 janë paraparë të jenë në nivelin prej rreth 252 milionë euro, duke shënuar një ngritje prej 12 për qind në krahasim me vitin paraprak. E kategoria e shpenzimeve subvencione dhe transfere e cila përfshin kategorinë e tranfereve sociale dhe subvencioneve për ndërmarrjet publike, gjatë vitit 2014 pritet të arrijë vlerën prej 313.7 milionë euro duke shënuar një ngritje prej rreth 6 për qind krahasuar me vlerën e buxhetuar për vitin 2013.
Për paga 48 milionë euro më shumë
Rritja më e madhe në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, sipas librit të buxhetit, i atribuohet fillimit të implementimit të reformës së administratës publike përmes implementimit të akteve sekondare legjislative, si dhe rritjes së planifikuar të pagave për shërbyesit civilë. Përveç kësaj, me 48 milionë euro më tepër sa janë shtuar sivjet për këtë kategori do të mbulohen shpenzimet që lidhen me hapjen dhe funksionalizimin e universiteteve të reja, “implementimin e reformës në shëndetësi dhe arsim, plotësimit të vendeve të reja të punës si në strukturat ekzistuese po ashtu edhe në strukturat e reja institucionale të themeluara si rezultat i bartjes së përgjegjësive të reja nga institucionet ndërkombëtare në ato vendore”.
Ndërkaq, në kategorinë e shpenzimeve për subvencione dhe transfere e cila përfshin kategorinë e tranfereve sociale dhe subvencioneve për ndërmarrjet publike, vetëm për transfere sociale do të shpenzohen 292.3 milionë euro apo për rreth 9% më shumë se këtë vit.
Kjo për arsye të fillimit të implementimit të Ligjit për Veteran të Luftës dhe Ligjit për ish – të përndjekurit politik, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Ligjin e Buxhetit për vlerësim të numrit të përfituesve dhe kostos buxhetore. “Ndërkaq pjesa tjetër e subvencioneve për kategoritë tjera sociale është rritur në harmoni me rritjen e numrit të pensionistëve”.
“Ndërsa subvencionet për ndërmarrjet publike për vitin 2014 janë paraparë të jenë 21 milionë euro, përfshirë këtu edhe subvencionet për RTK-në, në vlerë prej 8.5 milionë euro”, thuhet në librin për buxhet.
Më pak investime kapitale më shumë shpenzime për mallra
Edhe në buxhetin e vitit 2014 shihet se ekzekutivi planifikon të shpenzojë goxha para në mallra dhe shërbime. Më saktësisht 252 milionë euro, duke shënuar një ngritje prej 12% në krahasim me vitin paraprak. Kjo rritje, sipas librit për buxhet, reflekton disa procese të cilat kanë të bëjnë me implementimin e një pjese të reformave në shëndetësi përmes implementimit të Ligjit të Shëndetësisë, kërkesave të shtuara në sektorin e arsimit që ndërlidhen me funksionalizimin e universiteteve të reja publike, procesin e regjistrimit të diasporës, implementimin e obligimeve nga marrëveshja në Bruksel, financimin shtesë për Trepçën si dhe nevojën e shtuar për mirëmbajtën e stokut të investimeve kapitale të realizuara gjatë viteve të kaluara. “Po ashtu, një pjesë e kësaj rritjeje vjen si rezultat i rritjes së kësaj kategorie të shpenzimeve në nivel lokal, si rezultat i lejimit të fleksibilitetit në shfrytëzimin e të hyrave vetanake në nivel komunal”.Për dallim nga rritja e shpenzimeve “të luksit”, për vitin 2014 shpenzimet kapitale janë 91 milionë euro më pak se sivjet. Në këtë kategori do të jenë 530 milionë euro. Shpenzimet kryesore me këto para do të bëhen për ndërtimin e Autostradës Rruga 6 (Prishtinë – Shkup) gjatë periudhës së ardhshme afatmesme.
“Duhet cekur se në kuadër të shpenzimeve kapitale, pa koston për autostradën dhe shpronësimet e ndërlidhura me ndërtimin saj, janë përfshirë një numër i madh i projekteve infrastrukturore që përfshijnë ndërtimin: në mes tjerash, rrugës M2 për Mitrovicë dhe M9 për Pejë, përmirësimin e infrastrukturës lokale rrugore, sportive, dhe arsimore, projekte të cilat krahasuar me vitin e kaluar kanë shënuar rritje të ndjeshme”, thuhet në librin e buxhetit.
Rritja e planifikuar 4%
Sipas raporti të buxhetit projeksionet makroekonomike parashikojnë një rritje reale në mesatare prej 4.1% përgjatë periudhës afat-mesme, 2013-2015. “Vetëm gjatë vitit 2014 rritja reale ekonomike do të jetë rreth 4%. Ndërsa, në vlera nominale, BPV-ja për vitin 2014 parashihet të jetë rreth 5.5 miliard euro, një rritje kjo prej rreth 350 milionë euro krahasuar me vlerësimin për vitin 2013”. Konsumi sipas librit të buxhetit do vazhdojë të jetë kontribusi kryesor, me rreth 4.4%, ku konsumi privat do të ketë pjesëmarrjen më të lartë në rritje, pasuar nga eksportet dhe investimet. Importet do të vazhdojnë të kenë kontribut të pandryshuar negativ përgjatë vitit 2013-15, me rreth 2.2%. Ndërkaq, të hyrat e përgjithshme buxhetore përgjatë vitit 2014 parashihet të jenë 1.45 miliardë euro, ku të hyrat e mbledhura në dogana parashihet të jenë 934 milionë euro, ndërsa të hyrat në vend, të cilat mblidhen Administrata Tatimore e Kosovës, 367 milionë euro. /Tribuna/