Lajmet e fundit

Një shikim tjetër për krizën politike: Dashuria dhe seksi kosovar nën kërcënim

Nga Vlera Gjakova

Kjo skenë e spektaklit që po eskalon rrugëve të Prishtinës dhe në parlament ma kujtoj Ludwig Wittgenstein i cili në një shkrim më 1944, gjatë tmerreve të Luftës së Dytë Botërore radikalisht insiston se nuk duhet lejuar krimi, dhuna, urretja të matet nga numri i viktimave. “,… I gjithë planeti nuk mund të ndjejë vuajtje më të madhe se një shpirt.” Duke e arsytuar mendimin e Wittgenstein, bindshëm e them se të gjithë aktrojnë gjatë solidarizimit të vuajtjes për Tjetrin, realisht askush nuk e përjeton, realisht askujt nuk i intereson pikënisja e nyjës së problemit përderisa asnjëherë nuk [gjindet] zgjidhja e problemit deri në fund.

Le t’i sqarojmë disa gjëra për të shmangur çfarëdo mundësie të hutisë:

E para: Kur flas për zgjidhje – (nuk flas vetëm në kuptimin etimologjik të saj, por i referohem zgjidhjeve të deritanishme), që prioritet nuk e kanë parandalimin e problemit. Pika e këtij kryqëzimi nuk është çdoherë mbrojtja e idealit (të zgjidhjes) sepse çdoherë ekziston mundësia ndonjëra nga zgjidhjet të jetë e gabuar. Në qoftë se nuk do të ekzistonte rreziku nga rreziku, zgjidhja që të jetë e gabuar ose e bërë në një kohë të papërshtatshme apo hapësirë, atëherë, shumë thjeshtë – zgjidhja nuk duhet të quhet zgjidhje. Logjikisht kjo është esenciale për strukturën e çdo zgjidhje. Në këtë kontekst, të gjitha zgjidhjet ekstreme duhet të shmangen ose të shqyrtohen. Kjo në vetvete nënkupton se çdo zgjidhje [rrezikon] të bëhet dogmatike. Në sensin ideal, natyrisht se zgjidhjet arrihen me shpresën për t’u arritur siguria dhe saktësia absolute. Sjellja e zgjidhjes është, faktikisht, aktualizimi i një ideali. Kurthi është në atë se të gjithë dashurohen verbërisht në idealin (e zgjidhjes) i cili u servohet.

Por, çfarë do të kuptojmë nëse pikënisja e çdo problemi në Kosovë analizohet nga këndvështrimi i dashurisë dhe aktit seksual?! Çfarë do të ndodhë nëse kuptojmë se shoqëria kosovare kulturalisht nuk është e zhvilluar në aktet dhe marrëdhëniet seksuale (pavarësisht cilës gjini i takoni). Çfarë do të ndodhë nëse çështjet të cilat vazhdojnë t’i shihni e lexoni çdo ditë, të cilat vazhdojnë të jenë të papërfunduara si psh: rasti i Ardian Bajraktarit, i pamposhturi Kadri Veseli, rasti i së ndjerës Zejnepe Bytyqit; rastet që po ndodhin për momentin: dashuria e tri subjekteve opozitare, LVV-ja, AAK-ja dhe “Nisma”, kundër qeverisë aktuale, dashuria dhe bashkimi i aktivistëve të opozitës – janë vetëm disa indikatorë që reflektojnë se çdo krim i bërë në emër të [dashurisë], që inspiron përbrendësisht dëshirën për [seksualitet] është unik; dhe i papranueshëm pa marrë parasysh a e përjeton një apo më shumë!

E dyta: Të gjithë e dijmë se arti i të dashuruarit me vjetërsinë e saj ende po vazhdon kërkimin e njohurive dhe përpjekjeve për të arsytuar ekzistencën e gjithësecilit prej nesh. Në anën tjetër, Ars erotica, në mënyrë eksluzive- krijimi kulturor, qysh atëherë e udhëheq epshin seksual drejt realizimit të tij në bashkimin njerëzor. Përveç disa përjashtimeve të izoluara, shprehet seksologu gjerman Volkmar Siguch, kultura jonë “nuk na solli ars erotica, por scientia sexualis.” Por, dashuria si koncept a nuk është shndërruar në diçka obliguese e jo shpirtërore?! A i nevojitet dashurisë rrezik?

Po. Rreziku në instancë të fundit është incident, një situatë e rastësishme ku subjekti pa dëshirë është bërë pjesë e ngushtë e saj. Ai nuk është drejtues, akt krijues politik dhe intim, i cili e çon në ndryshimin e dëshirueshëm – tek ato hapësirat ëndërruese. Rreziku është edhe krim, e si pasojë, dhe dashuria e ç’rregullt është krim. Cila dashuri?

Dashuria dominante e qeverisë dhe opozitës që kolektivisht janë pranuar/shndërruar si të vetmet alternativa të mundshme, dashuri e cila në rrugëtimin e përpjekjes për ndryshim vazhdimisht dështon, dashuri e cila jeton në konfortin dhe sigurinë e saj nga frika e dominuesit, dashuri e cila nuk ka përgjegjësi ndaj vetvetes dhe tjetrit, dashuri e cila përcakton kufijtë e lirisë, dashuri e cila nga dominuesi i tjetrit krijon adresë të re për moralin superior, dashuri e cila në emrin e saj përdor dhunë, dashuri e cila lobomotizon dhe kolektivizon, dashuri, e cila pavarësisht konsumit të saj vazhdon të konsumohet.

Si rezultat i kësaj dashurie janë ndërtuar karaktere dominuese (që janë pjesë e pushteti dhe opozitës), të cilët funksionojnë si agjencione për punësime, duke shkaktuar dhe mirëmbajtur kulturë korruptive dhe klientalizëm të rrënjosur, institucionet e dobëta shtetërore, kontroll politik mbi mediumet, pabarazi e përhapur; dhe etja se kush do ta udhëheqë këtë regjim totalitar. Në këtë zonë komode [është] shkyqur e [jo] kyqur rreziku për dashurinë nga qytetari i thjeshtë, si një akt i veprimit që çdoherë është/duhet të jetë i qëllimshëm.

E treta: Por kjo dashuri verbuese e zgjidhjeve, çfarë seksi po i ofron shoqërisë kosovare?
Seksualiteti nuk është më një çështje prominente; ajo në masë të madhe është banalizuar; ashtu sikurse egoizmi dhe mobiliteti, të cilat shumë thjeshtë keqintepretohet nga shumë njerëz sot.
Megjithatë, seksi vazhdon të jetë i mishëruar, ndoshta është prototip i qetë/sekret kinse i “mardhënies së pastër” (e cila natyrisht është e papranueshme: marrëdhëniet njerëzore kanë tendencë t’i plotësojnë, shpërngulin e t’i modifikojnë të gjitha vendet e thyera dhe të çarat e Lebenswelt, pa marrë parasysh sa janë të distancuara, ajo mund të jetë gjithçka tjetër, përveç jo e “pastër”), ku sipas sociologut Anthony Giddens në ditët e sotme seksi është shndërruar në model objektiv/ideal dominues mes partneritetit dhe njerëzve.

Tani seksi pritet të jetë i qëndrueshëm dhe i vetëkënaqur, të “qëndrojë në këmbët e veta”, të gjykohet vetëm në bazë të (vetë)kënqësisë që mund të ofrohet gjatë një akti.

Në këtë linearë, nuk është aspak çudi që çdo ditë e më shumë po [rritet] kapaciteti i frustrimit, mu e njëjta ndjenjë, e cila duhet të funksionojë si mekanizëm shërrues, të jep orientim të kundërt.
Interesante, sikurse e kishte ndjerë deri ne palcë skemën e cila do të mbizotërojë në shoqërinë kosovare, psikoanalisti Erih Fromm në kryeveprën e tij “The Art of Loving”, është munduar të shpjegojë tërheqjen e “seksit si i tillë” (seksit me veten, seksit të praktikuar që ndahet nga funksionet sipas besimeve) – duke aluduar se është përgjigje e (gabuar) ndaj “dëshirës së zjarrtë për një shkrirje të plotë”- e cila për njeriun bëhet e natyshme, por përmes “iluzionit për bashkim.”
Pse bashkim? Sepse kjo është etja të cilën e kërkon një burrë/grua tek një grua/burrë, kur dëshpërimisht dëshiron të largohet nga vetmia nga e cila vuan ose frikësohet që do të gjendet brenda saj.

Pse Iluzion? Sepse bashkimin e vetëm të arritur në momentin e shkurtër të orgazmës më të lartë “ata të cilët janë të huaj, e ndjenjë largësinë edhe më të fortë se më herët.” Në këtë rol, orgazmi seksual “e merr funksionin të cilin e bën jo dhe aq të ndryshëm nga varësia e alkoolit ose e drogës.” Ashtu si këto, seksi është intenziv – por “kalimtar dhe periodik.” Ndyshe e njohur si one night stand, seks mekanik, i shpejtë dhe asgjë më shumë.

“Tërheqja seksuale krijon, për momentin, iluzionin e bashkimit; por pa dashuri ky “bashkim”, lë të huajin aq larg siç ka qenë më parë – nganjëherë kjo i bën ata të ndihen të turpëruar nga njëri-tjetri, apo madje edhe i bën ata të urrejnë njëri-tjetrin, sepse kur iluzioni ka shkuar ata ndjejnë largimin e tyre edhe më të shënuar se më parë” (f. 54-55).

A nuk e kërkonte këtë (i harruari) Ardian Bajraktari? Një “iluzion për bashkim!?” Por, vetëm [suspendimi] i tij nga posti ministror dhe [rrikthimi] i tij nuk zgjedh zgjidhjen e problemit, përkundrazi, e komplikon edhe më shumë. Pse? Sepse tek Bajraktari “dëshira e zjarrtë për një shkrirje të plotë” ende ekziston, realisht Bajraktri nuk e ka të qartë pse veproi në atë formë, realisht Bajraktari vepron sipas servimit të idealit kolektiv që e ka zgjedhur si shumë Bajraktara të tjerë, realisht Bajraktarat kanë nevojë [për] ndihmë kolektive shoqërore dhe [jo] injorim kolektiv shoqëror.

E katërta: Ndryshe, terapisti Siguch në librin e tij “The neosexual revolution”, qartëson se si të gjitha llojet e lidhjeve që pretendojnë se janë moderne, në vete mbajnë maskën e “lumturisë së rreme”, maskë të cilën më herët e kanë mbajtur martesat, ndërsa tani e mban dashuria e lirë… Në qoftë se e largojmë maskën do të përballemi me aspirata të papërmbushura, me nerva të dobëta, dashuri të zhgënjyera, lëndime, frikë, vetmi, hipokrizi, egoizëm, injorancë, dhunë.

Sot, performanca ka ardhur në vendin e ekstazës, fizika është “in”, metafizika është “out”… Absistenca, monogamia dhe promiskuiteti në mënyrë të barabartë janë larg jetesës së lirë me sensualitetin, ndjenjë të cilën askush nga ne nuk e njehë më.

Kur seksi nënkupton ngjarje fizilogjike e trupit, ndërsa “sensualiteti” nuk zgjon asgjë tjetër, përpos eksitim të ngrohtë të trupit, seksi nuk është i lirë nga sipërfaqja, i padobishëm, me barrë dhe ngarkesë të rëndë. Kur nuk ka sensualitet, seksi është i stërngarkuar, pritshmëritë janë përtej kapacitetit të tij për t’i përmbushur; dhe kur nuk përmbushen ato shpërthejnë në forma të pakontrolluara, si rasti i burrit të Zejnepe Bytyqit i cili sot e kësaj dite nuk e ka të qartë pse veproi në atë formë, dhe, Kadri Veselit, ku përpos fjalorit të tij të vrazhdë nga kolltëku i parlamentit, personaliteti psikopatik dhe çekuilbri i tij mendor në vazhdimësi karakterizohet me ndjenjat sipërfaqësore, gënjeshtrat patologjike, mungesa e pendesës dhe turpit, shpërthimet e shpeshta emocionale, të cilat, po manifestohen në të gjithë shoqërinë kosovare.

Duket sikur subjekti i fundit (Kadri Veseli) është vetëm një shembull klasik i cili gjatë gjithë jetës së tij ka pasur vetëm kujdes teknik, që, natyrisht, nuk pajtohet me emocionet në as edhe një moment. Koncetrimi i perfomacës së tij nuk ofron as kohë, as vend për ekstazë, mbase nuk e ka as idenë se çfarë është [ekstaza].

Fizika nuk është rrugë e metafizikës. Prej emocioneve, ekstazës dhe metafizikës më herët ka rrjedhur fuqia e joshjes – dhe tani mbase do të rrjedhjte, por misteri është zhdukur ku dëshirat e zjarrta fatkqësisht po mbesin të papërmbushura.

Siguich beson se herët ose vonë “dëshirat dhe mallëngjimet të cilat ikin nga kapshmëria e racionalitetit”, dal ngadalë do të kthehen – do të hakmerren – dhe kur do të hakmerren, nuk do të kemi mundësi t’ju japim formën e duhur “pa u strehuar drejt përdorimit të koncepteve për instiktet e natyrshme dhe vlerat e përjetshme të cilat janë të kurruptuara deri në palcë, historikisht dhe politikisht.”

Por, kur kjo do të ndodhë, Siguich supozon ose lë të kuptohet: do t’i nevojitet më shumë se një pamje e re mbi seksin dhe pritshmëritë të cilat mund të përfshihen në aktet seksuale. Do t’i nevojitet jo më pak nga [shkyqja] e seksit nga mbizotërimi i pushtetit i racionalitetit konsumues.
Ndoshta i nevojitet edhe më shumë: racionaliteti i konsumit të jetë i zhveshur nga pushteti i saj aktual mbi motivet dhe strategjitë njerëzore në politikën e mjedisit, mu aty ku jetoni, mu aty ku zgjoheni dhe kaloni gjithë ditën- nga aty duhet të fillohet.
Nga ky këndvështrim, përderisa të gjithë po hedhin vallen e imperativës dominante shoqërore (kush e ka të drejtë e kush gabim)- duke e fragmentuar, shqyrtuar, kthyer në kaleidoskop dhe në banalitet çdo situatë të krijuar në Kosovë – dashuria kosovare është nën kërcënim; dashurisë kosovare i nevojitet [rrezik]; dhe siç thotë poeti  Arthur Rimbaud, me entuziazimin e tij ideologjik (“L’amour est à réinventer” [Dashuria duhet të ridefinohet]); nevoja e saj për të shpëtuar nga realiteti i (vetë)krijuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.