Lajmet e fundit

Rënie apo Lavdi!?

Luftërat për liri sjellin heronj. Heronjtë pa luftë, nuk shfaqen dot. Lufta dhe heronjtë kanë një të përbashkët – idealin. Ideali dhe lufta nuk bëhen pa heronj, po as heronjtë nuk shfaqen pa luftëra.

Historia njeh shumë luftëra për liri. E për liri edhe heronjtë e luftërave u shfaqën në skenë. Edhe pse, heronjtë nuk shfaqeshin vetëm në luftërat kundër pushtuesve, por edhe në luftërat për idealin e caktuar të popullit të tyre. Të tillë e njohu historia Mahatma Gandhi-n. Heroizmi i tij nuk u shfaq me luftë, por me paqe ndaj pushtuesve të rrethanave të tij e të vetë Indisë. Burgosja e tij ishte pasoj që ndiqte një ideal për popullin e tij, por rrethanat e asaj kohe e burgosën disa herë. Burgu, thonë, për burra është. I tillë ishte edhe Gandhi, të cilin burgu e bëri vetëm më të fort për të arrirë idealin e tij. Paqja e tij ideale, që e shpërndante në çdo hap që shkelte, nuk mjaftoi që bota t’ia dhuronte “Çmimin Nobel për Paqe”. Kjo ishte mizoria më e madhe që dëshmoi se bota nuk është aq e drejt, por ideali i tij ishte përtej çmimeve personale dhe këtë e arriti edhe pse u burgos shumë herë. I inspiruar nga Gandhi, Martin Luther King, një tjetër vizionar afro-amerikan, mundohej që përmes qasjes paqësore të krijoj të drejtat civile për çdo qytetar me ngjyrë, që jetonte në Amerikë e më tej. Edhe këtë, burgu e bëri hero! Heroizmin e tij e ngriti në piedestale nëpërmes popullit që donte liri dhe drejtësi. Burgu, burrat i bënë më të fort, po thonë. Të fort e bëri edhe Nelson Mandela-n. Ky burg, që për idealistët jep fuqi. Për kriminelët, jep ndëshkim. Për të mençurit dhe më shumë dituri. 27 vite si i burgosur politik, Nelson Mandela, rikthehet për tu bërë Presidenti i parë i një Republike, Afrikës së Jugut. Burgu nuk e bëri president këtë njeri, por idealin e tij e rriti, ia shtoi peshën. Burgu bëri që, ideali i tij të përndjeket nga populli dhe populli vrapoi përkrah idealit të tij. Edhe në Koren e Veriut, politika kishte arrestuar për pesë vite Kim Dae-Jung, i cili pas lirimit arriti të bëhej Presidenti i 8-të i Kores së Veriut. Në vitin 2000, po ky president arriti të fitonte Çmimin Nobel për Paqe. Të njëjtin sukses bota ia dhuroi edhe diktatorit më të dëmshëm që njohu historia. Edhe këtu, përveç rasteve që i cekëm, këtu fajin kryesor e kishte politika që ia mundësoi një njeriu si Adolf Hitler të burgosej. Ku, që nga burgu nisi të shkruaj librin e tij të famshëm shkatërrues “Mein Kampf” (Lufta Ime) sa ishte i dënuar si ushtarak për grushtshtet. Me teoritë e tij të ekspozuara në këtë libër i tregoi botës ndryshimet që do t’i bëjë, nëse do të vinte në pushtet. Dhe pikërisht, bota së bashku me burgun ia mundësuan që t’i jetësonte ato tekste në realitet. Sepse, burgu ia jepi atë pushtet, atë ndikim të idealit të pashkoqitur të tij.

Burgu ngriti edhe të tjerë, edhe në ditët e sotme, sepse kur burgosen njerëzit politik, nuk burgosen për çështjet e tyre personale, por për idealin e tyre të paracaktuar. Të mirë apo të këqij qofshin ata! Pa gjykuar për asnjërin prej tyre, sepse në fund, historia do të tregoj të vërtetën e gjithsecilit. Një fat të tillë të burgosjes e kishte edhe Presidenti i tanishëm i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ky i fundit, i arrestuar nga pushteti i atëhershëm politik, arriti që idealin e tij ta forconte pas rikthimit në skenë. Këtë rikthim ia mundësoi pushteti që e burgosi së bashku me vetë grilat e burgut. Rikthimin e tij e bëri duke qenë njeriu më i pushtetshëm tash e 14 vite në Turqi, ku e vazhdon edhe më tutje këtë ndikim. Edhe Egjipti foli të njëjtën gjuhë, ku ndëshkimi jepte sukses. Mbase, pas qdo vështirësie vije lehtësimi. Në këtë kontekst, pushteti egjiptas burgosi Mohamed Morsi, dhe burgun përjetoi edhe ky njeri që pas lirimit arriti të bëhej Presidenti i pestë, në mënyrë demokratike, në Egjipt. Edhe pse, nuk arriti që këtë pozitë ta mbaj as për një vit të vetëm, pasi që u ndërpre nga një burgim tjetër ushtarak. Por, populli mendon që idealet e tij do ta rikthejnë edhe njëherë në skenën politike pas lirimit nga burgu.

Po në Kosovë a ka ndodhur dhe apo ndodhë një gjë e tillë?!

Adem Demaqi me shumë shokë u burgosën për çështje politike nga pushtuesit jugosllav e serb. Këto burgosje i bëri një pushtues tjetër dhe jo pushteti vendor, ku shumë nga figurat e përmendura më lart ishin të persekutuar nga vetë pushteti i tyre vendor. Dhe tani, me të drejt apo jo, nuk do ta diskutojmë këtë çështje, nga pushteti aktual arrestohet një deputet i Kuvendit të Kosovës, sikur të ishte krimineli kryesor. Ndoshta, me një numër aq të madh të policëve nuk do të arrestohej as nga ndonjë llavë pushtuesish e armiqsh jo vendor. Për arrestimin e tij, pushteti gjymtyroi dhe malltretoi mbi 90 anëtarë dhe një subjekt të tërë politik. E ky subjekt paraqitet si forca më e madhe opozitare. Kjo ngjarje të rikthen në kohën komuniste, në asimilimin e çdo iniciative dhe çdo zëri që është kundër pushtetit. Nga ana tjetër, nuk arsyetohet asnjë lloj mjeti dëmtues që shkaktoi ndërprerjen e shumë seancave parlamentare, dhe nuk ka imunitet asnjëri deputet në këtë drejtim. Por, arrestimi i tillë tregonte më shumë një aksion anti-terror sesa në arrestim të një përfaqësuesi të popullit.

Të shkojmë një hap në retrospektivë. Albin Kurti, si lider i subjektit të tij, ndoshta jo edhe zyrtarisht, por më shumë në opinionin publik, kohën e fundit, si duket, nëpërmjet protestave dhe dhunës që e ka shkaktuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës e ka humbur peshën e tij elektorale. Kjo, pasi që, populli ynë, është ngopur me dhunë, dhe tani kërkon paqen në çdo segment të jetës edhe në veprimet politike. E këtë gjë, si duket e ka kuptuar edhe vetë, tashmë i burgosuri, Albin Kurti. Me të kuptuar këtë, për ta bërë edhe një rikthim në skenën politike, ai, si duket, rikthimin e synon me një riburgim. E këtë e kërkoi, dhe po këtë, pushteti ia mundësoi! Si prijës i çdo skene ‘aksioni’ në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ai nuk ndalej, por vetëm i shtonte masat agresive kundrejt pozitës së pushtetshme.  Filloi, pas zgjedhjeve të brendshme në subjektin e tij, që të dal në teren, por si duket nuk e gjeti ndikimin e tij. Andaj, si çdo emër i përmendur më lart, ku gjithsecilin e burgosi politika, dhe pas burgut e rriten ndikimin e tyre, ai e pa si një mundësi që vetëm burgimin ta kërkonte, për një rikthim më të ‘lavdishëm’.

Dhe tani, edhe pse me flet arrest, zgjodhi 28 nëntorin e festave shqiptare që të dal në skenë për ta kërkuar, pikërisht me këtë datë, burgosjen heroike të tij. Dhe, ashtu siç doli në skenë kohë më parë, me parullat e tij për një Bashkim Kombëtar, ku edhe njihet për këtë ideal, pikërisht, pas një kohe të gjatë që s’kishte folur kaq bindshëm për këtë ideal, ai me këtë datë foli e foli e foli për të. Për Bashkimin Kombëtar foli, që më pas të jenë fjalët e tij të fundit publike, para se të arrestohej. Të duket që, në opinionin publik, u arrestua për idealin e Bashkimit Kombëtar. Me një ide të tillë nuk arriti të ketë sukses deri më tani, por me një ide të tillë po mundohet ta rikthej apo ringjall nacionalizmin tek gjithsecili votues. Për këtë ‘ideal’ ishte i gatshëm që të sakrifikohej me burgosje të vetvetes, për tu rikthyer si një ‘hero’ në skenën politike dhe me parullën e idealin e njëjtë.

Për ca vite ishte mbajtur në burg edhe Kryetari i partisë tjetër opozitare, Ramush Haradinaj. Por ky, për shkaqe të rrethanave të atëhershme, dhe manipulimeve që rastësisht u besoi, nuk arriti të krijonte ‘heroizmin e tij ideal’ të një ushtaraku të atdheut. Edhe pse tentoi, dhe burgu ia rriti peshën tek secili qytetar, por besimet e tepërta dhe mos gjetjes së vetës në një ujdhesë politike bëri që të mos e ketë suksesin deri më tani.

Por sot, këtij njeriu të quajtur Albin Kurti, pushteti aktual me burgosje, me të gjitha gjasat, duke u arsyetuar nga logjika racionale e rasteve të më hershme nëpër histori, do t’ia rrit peshën në popull. Do ia rrit peshën idealit të tij, për të cilin edhe u ‘flijua’. Me këtë, pushteti ra pre e lojës së tij, ku ia mundësoi arrestimin, pikërisht në ditën më të rëndësishme të shqiptarëve, 28 nëntor. Por, sa do jetë i gatshëm që të rikthehet si triumfues dhe ta shfrytëzojë burgun për këtë rikthim, mbetet të shihet edhe nga sjellja e pushtetit aktual, se sa do t’i jepet hapësirë më pas. Sepse, edhe Hitleri u rikthye nga burgu, por botën e shkatërroi. Nga ana tjetër, edhe Nelson Modela e Gandhi u rikthyen nga burgu, por historia i njohu për paqen e tyre.

E të gjitha këto, gjatë gjithë këtij teksti, duke mos dashur të bëjmë anime se cila palë është e mira dhe e keqja, po e lëmë që historia dhe koha ta tregojnë këtë. Fundja, duke besuar që dashuria e gjithsecilit përfaqësues të popullit është shumë më e madhe për popullin sesa për vetveten. Por, e gjitha, kishte qëllimin e analizës së rëndësisë së burgut për personat politik.

Enis Reçica

Autori është student në nivelin master, Integrime Evropiane dhe Administratë Publike

Leave a Reply

Your email address will not be published.