Lajmet e fundit

Veseli premton mbështetje për personat me aftësi të veçanta

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim drejtuesit e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së personave me nevoja të veçanta në Kosovë, përkatësisht Bujar Kadriun, kryetar i Forumit Kosovar për Aftësinë e Kufizuar dhe Afrim Maliqin, drejtor i Handikos-it, me bashkëpunëtorë.

Siç bëhet e ditur në një njoftim, në takim u bisedua për nevojat dhe kërkesat e kësaj kategorie të rëndësishme të qytetarëve të Kosovës, si dhe rregullimit sa më të mirë ligjor të tyre nga ana e Kuvendit.

“Në këtë kuptim, drejtuesit e shoqatave e vlerësuan se ky 3 dhjetor – datë kur shënohet Dita e personave me nevoja të veçanta, këta qytetarë i pret më mirë se kurrë, pas miratimit nga ana e Kuvendit të Ligjit për paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe amendamentimit të ligjeve të tjera të kësaj natyre. Ata falënderuan kryeparlamentarin Veseli për angazhimet e tij që t’u ofrohet, për herë të parë, revista e Kuvendit të Kosovës në alfabetin Braj, si një mundësi e mirë e informimit për punën e institucionit më të lartë ligjvënës dhe përfaqësues të vendit”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se kryetari Veseli ofroi mbështetje të plotë, jo vetëm në procedimin dhe amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë me personat me nevoja të veçanta, por edhe lehtësira në punësim dhe lëmenj të tjerë që lehtësojnë jetesën dhe aktivitetin ditor këtyre personave, siç është qasja në objekte.

Leave a Reply

Your email address will not be published.