Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili është aktualisht në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi gjatë kontrollit në Kuvendin e Kosovës i janë gjetur bombola gazi lotsjellës.
Klan Kosova ka realizuar një intervistë ekskluzive me deputetin Ismaili në shtëpinë e tij.
Në kohën derisa po realizohej kjo intervistë, Policia e ka vizituar Ismailin në shtëpi për të parë nëse ai është duke i’u përmbajtur arrestit shtëpiak, ashtu si e ka caktuar Gjykata, njofton Klan Kosova.
Pas kësaj vizite, Ismaili ka thënë se nuk mund të gjykojë policët për veprimet e tyre.
“Nuk e kritikoj e s’e akuzoj për asnjë veprim policinë, po vetëm urdhërmarrësit e tyre”.
“Ata vetëm zbatojnë urdhra që i jep dikush tjetër. Në mesin e policëve ka edhe lloj-lloj pisa që provokojnë situata”.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se një nga rastet kur policia është sjellur jo korrekt është kur kreu i Prishtinës është goditur me shufër gome.
“U godit pa asnjë arsye, as nuk ishte i revoltuar vetëm kërkonte të dinte se pse s’po na lejojnë të kalojmë nëpër rrugë”.