Lajmet e fundit

Nitaj: Vlerësojmë vendosmërinë e SHBA-ve, që të mos mbështesin marrëveshjet që e cenojnë Kosovën

Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj ka theksuar se partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj e vlerëson vendosmërinë e SHBA-ve që të mos e mbështes asnjë marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës. Në një deklaratë që e ka dhënë për Gazetën Blic, Nitaj ka theksuar se presin nga Qeveria e Kosovës që të lexoj drejt porositë e sekretarit Kerry.

“E vlerësojmë si tepër të rëndësishme, vizitën dhe deklarimin që e bëri sot në Prishtinë, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry.  E çmojmë lartë vendosmërinë e deklaruar të SHBA-ve, për të mbështetur Kosovën dhe popullin e saj. Në këtë kuadër, e vlerësojmë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara që të mos mbështesin asnjë marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Nitaj për Gazetën Blic.

Ai ka thënë se “i kemi parë me plot kuptim qëndrimet e Sekretarit Kerry, për dialogun politik, për të drejtën që të dëgjohet zëri i secilit, për të drejtën e garantuar për të protestuar, për luftën kundër korrupsionit,  si dhe mirënjohjen që ai ia bëri Kosovës për kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit global”.

Nitaj ka shtuar se subjekti i tij politik i vlerëson si krejt normale deklaratat e sekretarit Kerry për zhvillimet në Kuvend e edhe për gazin lotsjellës, sepse siç tha ai, ky ka qenë edhe qëndrim i vazhdueshëm i AAK-se.

“Kryetari i AAK-se Haradinaj, edhe dje e ka përsëritur se gazi në Kuvend nuk është as popullor as demokratik, por se kishte mbetur si masë e fundit kundër pushtetit që tash e sa muaj, i ka shpallur luftë opozitës, duke mos i lënë instrument tjetër në dorë”, tha Nitaj për Gazetën Blic.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së beson se do të reflektoj qeveria pas këtyre porosive.

“Ne besojmë fuqishëm se porositë e Sekretarit Kerry do të lexohen drejt nga qeveria, e cila duhet t’i eliminojë shkaqet e krizës së thellë politike në Kuvend dhe në Kosovë në përgjithësi, në mënyrë që vendi t’i rikthehet normalitetit”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.