Lajmet e fundit

Kryeministër, për çfarë dialogu e ftoni opozitën?

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Isa Mustafa për situatën e fundit politike në vend.
Ai në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se kryeministri Mustafa duhet të reflektojë. Maloku ka thënë se Mustafa nuk është i gatshëm për dialog me opozitën, pasi sipas tij, ai është burimi dhe shkaku i të gjitha këtyre përplasjeve.
Postimi i plotë i Naim Malokut: 
Kryeministër,
Ju nuk jeni i gatshëm për dialog me opozitën sepse vet jeni burimi dhe shkaku i të gjitha këtyre përplasjeve.
Për të qenë i sinqertë në atë që deklaroni ju duhet të reflektoni me veprime konkrete dhe atë:
Të krahasoni marrëveshjen përfundimtare të nënshkruar nga ju në Bruksel me rezolutën e Kuvendit për bisedimet me Serbinë. Aty do e gjeni se sa larg keni shkuar në shkeljen e vendimeve të Kuvendit.
Ju nuk keni dashur që marrëveshjen ta sillni si pikë për debat dhe pastaj votim, ratifikim, në Kuvend por vetëm si ‘njoftim’. Pra ju nuk keni pranuar dialog për Marrëveshjen dhe të ballafaqoheni hapur me shkeljet që i ka bëre ekipi negociator i Kosovës, duke dalë tërësisht jashtë kornizave për dialog të votuara në Kuvend.
Ju keni deklaruar hapur që Marrëveshja e Vjenës për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të debatohet, dhe që e njëjta s’ka nevojë për Ratifikim në Kuvend.
Pra e keni refuzuar dialogun edhe me deputetët e pozitës për këtë çështje, i bindur se asnjë deputet as i LDK-së nuk do e votonte një marrëveshje ku hapur dhe bindshëm cenohet integriteti territorial i shtetit duke i falur, apo shitur, një shteti tjetër pjesë të territorit shtetëror të Kosovës.
Ju e votoni për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese militanten e partisë suaj dhe kandidaten për deputete në zgjedhjet e kaluara, duke dhenë argumentin e pamohueshëm që kjo Gjykatë do të jetë krejtësisht e ndikuar, kontrolluar dhe e dirigjuar nga Ju. Si mundë të i besohet kësaj Gjykate pra?
Për çfarë dialogu pra ju e ftoni opozitën?
Mos u fshihni pas veprimeve, gazit lotsjellës dhe dhunës, së opozitës. Ju nuk i keni lënë rrugë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.