Lajmet e fundit

Elida Buçpapaj : Donika Kada Bujupi në burg e kriminelët të gjithë jashtë

Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e avokatit për lirimin e deputetes të Kuvendit të Kosovës Donika Kadaj – Bujupi.

Apeli ka vendosur ta mbajë Donika Kadajn në paraburgim, ndërsa gjithë kriminelët e Kosovës janë jashtë, të lirë,duke na bërë moral e duke justifikuar me ligj e kushtetutë se burgosja e Donikës është shprehje e shtetit ligjor.

Shteti ligjor i një regjimi kriminal, një qeverisje pazaresh të pista, që ka rregulla të hekurta për cilindo që rebelohet kundër diktaturës të një aleance monstrum, siç është aleanca PDK-LDK.

Donika Kadaj është kundër çdo lloj dhune. E kam intervistuar janarin që shkoi, dhe ma ka thënë shprehimisht. Donika është grua e nënë, dhe nuk ka nënë në botë që të ngrihet kundër shtetit kur shteti është i drejtë, sepse çdo nënë kërkon shtet ligjor për bijtë e saj dhe për gjithë bijtë e botës.

Arrestimi i Donika Kadajt është kërcënim dhe dhunë shtetërore. Që vjen nga një shtet burracak që arreston gratë dhe të gjithë kriminelët i ka lënë jashtë për të friksuar dhe terrorizuar shoqërinë.

Disa ditë më parë u kujtua 15 vjetori i vrasjes të Këshilltarit të Ibrahim Rugovës, intelektualit të shquar Xhamail Mustafa, vrasje e pastër politike. Deri sot vrasësit bredhin të lirë, ndërsa ideatorët e vrasjes na bëjnë moral për shtetin ligjor.

Xhemail Mustafa u kujtua sa me larë gojën nga partia që ka degjeneruar në një parti antirugoviste. Kjo është LDK-ja sot. Sepse janë dhjetra veprimtarë, gazetarë e personalitete të vrarë për motive politike që prej 1998, të krahut Rugovist dhe deri më sot asnjë vrasje nuk rezulton të jetë e zbardhur, asnjë ideator i krimeve i gjykuar, asnjë ideator i krimeve i përballur me drejtësinë, asnjë ideator i krimeve i burgosur; të gjithë ideatorët e krimeve bashkë me ekzekutorët nuk kanë paguar para drejtësisë dhe nuk janë pas hekurave, ndërsa kori i laraskave dhe i sorrave na bëjnë moral për shtetin ligjor, na bëjnë moral për ligjin dhe na justifikojnë burgosjen e një gruaje, e cila kundërshtoi një regjim i cili s’ka lidhje as me shtetin ligjor dhe as me demokracinë, sepse shtet ligjor ka kur drejtësia punon në favor të lirisë e sigurisë.

Kjo është Kosova e sodit. Të gjithë kriminelët jashtë hekurave dhe Donika Kadaj-Bujupi brënda në burg, se qëlloi me vezë dhe domate qeveritarë kukulla që kanë kapur shtetin dhe nuk kanë legjitimitet pasi qendrojnë  në krye të shtetit me këtë soj aleance në kundërshtim të hapur me verdiktin e popullit, që i votoi në zgjedhjet e qershorit 2014. Janë oligarkët e Kosovës, të pasuruar me paret e popullit, ndërsa populli vuan, populli ka marrë ikën sepse s’ka bukë, s’ka punë, s’ka siguri, s’ka drejtësi sepse regjimi lë jashtë kriminelët dhe brënda në burg fut një grua, e cila e kundërshtoi këtë regjim dhe u rebelua.

03-12-2015 08-12-16

Edit

Leave a Reply

Your email address will not be published.