Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi në një prononcim për ORAinfo është shprehur skeptik se partitë në pozitë dhe opozitë do t’i marrin parasysh këshillat e një ditë me parë thënë në Prishtinë nga Sekretari amerikan John Kerry.
Sipas tij, mesazhet e përfaqësuesit amerikan do duhej të shërbenin në uljen e tensioneve dhe hapjen e mundësisë për tejkalimin e situatës.
“Qeveria dhe opozita duhet t’i zbusin qëndrimet e tyre, të japin variante për tejkalimin e situatës. Nëse palët nuk marrin mësime nga kjo vizitë e Cerryt, atëherë po frikësohem që kosovarët për tri ditë do ta harrojnë vizitën, porositë e tij, dhe atëherë kuku për ne”, ka thënë Vllasi për ORAinfo.
Sipas tij, nga kjo situatë politike në vend, pasojat me së shumit po i përjeton populli i Kosovës.
Kjo gjendje sipas Vllasit, po krijon pasiguri politike, varfëri sociale dhe vonesa në ndërtimin e institucioneve të shtetit ligjor.
“Nga vizita e sekretarit Kerry pozita dhe opozita është dashur që t’i nxjerrin mbi vete disa përgjithësi. Sekretari amerikan e tha edhe dje se parlamenti është për demokraci, e jo për përdorimin e mjeteve të dhunës. Opozita dhe pushteti duhet të nxjerrë më shumë mësime nga fjalët e Sekretarit amerikan”, ka thënë Vllasi.
Nga ana tjetër, duke folur rreth ftesës që kryeministri i vendit, Isa Mustafa, u ka bërë liderëve opozitarë që të ulen dhe të diskutojnë për tejkalimin e situatës, Vllasi ka theksuar se Mustafa e ka për detyrë që t’i ftoj opozitarët dhe të ndihmojë në tejkalimin e situatës.
“Mustafa nga pozicioni që e ka, e ka për detyrë që të jap mundësi opozitës për dialog. Është mundësi e duhur, por duhet që Mustafa ta qartësoi pozicionin e Qeverisë, lidhur me dy pikat që kanë bërë ashpërsimin e raporteve pozitë-opozitë”, ka thënë Vllasi.