Sot do të vazhdoj seanca gjyqësore për rastin ‘MTPT’, me fjalën hyrëse të prokurorit dhe të mbrojtjes.
Kurse dje, Fatmir Limaj dhe katër të dyshuarit tjerë për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar janë deklaruar të pafajshëm.
Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka pafajësinë e kanë deklaruar, pasi u lexua aktakuza e konsoliduar për dy rastet e bashkuara, të cilat lidhen me ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Për rastin e Limajt, Prokuroria ka prezantuar tetë dëshmitarë, në mesin e të cilëve janë Hasan Preteni dhe Adem Grabovci.
I pyetur nga gjyqtarja e rastit, nëse e kupton aktakuzën, Limaj, është përgjigjur se që katër herë po i lexohet e njëjta aktakuzë dhe se për pesë vite po merret me të.
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se beson fuqishëm se Limaj dhe të tjerët do të shpallen të pafajshëm, pasi, siç ka thënë ai, provat e prokurorit janë të pabaza dhe ta pabazuara në fakte.