Ministri i Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Serbia nuk ua kthen shpinën gjeneralëve dhe heronjve të vetë, përkundrazi vendi mburret me ta.
Vulin, i cili dje në aeroportin e Nishit e priti të dënuarin e Hagës, gjeneralin Vladimir Lazareviç, tha sot se ai është krenar se Lazareviq më në fund është i lirë, ngase ai luftoi me heroizëm për vendin e tij, transmeton KosovaPress.
“Ai u mirëprit nga shteti siç duhej të bëhej, Serbia nuk është më një vend që heq dorë nga heronjtë e saj, ky është një vend që krenohet me gjeneralët e tij”, tha Vulin për Televizionin “Pink”.
Ish-oficeri i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviq, i cili u lirua pasi kreu dënimin e tij për krime lufte në Kosovë, u prit si hero pasi u shoqërua në shtëpi nga dy ministra të lartë të shtetit serb.
Me qindra njerëz që mbanin banderola me si “Mirësevjen, gjeneral!” dhe brohorisnin “Lazareviq, heroi ynë!”, përshëndetën ish-oficerin ushtarak pasi ai mbërriti në qytetin serb të Nishit nga qendra e paraburgimit në Hagë ditën e enjte.
Lazareviqi është dënuar për përgjegjësi komanduese me 14 vjet burg për krimet në Kosovë, si komandant i korpusit të Prishtinës, e pastaj edhe komandant i armatës së tretë të ushtrisë jugosllave më 1998 dhe 1999, transmeton KosovaPress.
Ai ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ndërsa në Hagë, siç shkruan Tanjug, është dorëzuar vullnetarisht në vitin 2005. Fillimisht është dënuar me 15 vjet, ndërsa pas ankesës dënimi i është zvogëluar për një vit.