Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell ka dalë kundër vendimit të Koalicionit PDK- LDK për votimin në Kuvend të kandidates për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, Selvete Krasniqi- Gërxhaliu, e cila ishte kandidate për deputete nga radhët e partisë së Isa Mustafës.
Ai këtë koment e ka dhënë në një debat interaktive online në Facebook.
Ai gjatë këtij debati ka theksuar se emërimet publike në vendet demokratike duhet të bëhen në bazë të meritave, e jo në baza nepotiste.
Ambasadori i Britanisë ndër të tjera në këtë debat ka theksuar se një gjë e tillë është nënvizuar edhe në raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Për më tepër në këtë bisedë, ambasadori O’Conell ka theksuar se në vendet demokratike politika dhe gjyqësori janë të ndara në mënyrë të qartë.
Ndiqeni të plotë bisedën e ambasadorit në Facebook.
Votimi në Kuvend i dy kandidateve për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi dhe Gresa Caka- Nimani ka nxitur reagime të shumta të medieve dhe të shoqërisë civile. Është rritur presioni ndaj presidentes së vendit, Atifete Jahjaga që të mos bëjë dekretimin e tyre.