Gjenerali serb Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, është liruar të enjten, pasi ka kaluar 10 vjet në burg, por në Serbi ai është kthyer sikur të ishte hero kombëtar e jo kriminel lufte, shkruan sot Koha Ditore.
Lazareviq, i cili u lirua nga burgu pasi vuajti dy të tretat e dënimit, është transferuar nga Haga për në Serbi me aeroplan qeveritar, dhe i shoqëruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë – ministri i Drejtësisë, Nikola Selakoviq, ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq.
Po ashtu kriminelin e dënuar Lazareviq në aeroportin e Nishit e kanë pritur edhe ministri i Punës, Aleksandar Vulin, prefekti i Nishit, Zoran Perishiq, si dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Vladika Teodosije.
Në mesin e të tubuarve në aeroport ishte edhe shefi i Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, edhe vetë i akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë, i cili në kohën e luftës, më 1999, komandoi Brigadën e 37-të të motorizuar të Ushtrisë jugosllave dhe shërbeu nën gjeneralin Lazareviq. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)
Tash gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.