Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, në të cilën është biseduar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ka njoftuar përmes një komunikate për media Zyra e MPB-së.
Hyseni i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, sidomos në fushën e bashkëpunimit mes policisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, transmeton Koha.net.
Në këtë takim u bisedua edhe për fushat në të cilat mund të bashkëpunojnë të dy shtetet në avancimin e më tejmë në institucione të sigurisë në Kosovës dhe për mundësitë që i ofron Republika e Turqisë.
Në takim po ashtu u theksua nevoja e rrumbullakimit të marrëveshjes për ripranim mes dy vendeve, për të cilën ekipet e të dyja vendeve po punojnë intensivisht.
Ndërsa ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç, shprehu përkushtimin e vendit të saj për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës. Ajo tha se Turqia do të vazhdojë të jetë përkrahëse e fuqishme Kosovës në të gjitha aspektet.