Dardan Molliqaj Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje është shfaqur sot në publik pas një mungese gati dyjavore në manifestimet e organizuara nga tre partitë opozitare.
Ai sot ka marrë pjesë në varrimin e gjyshit të tij në fshatin Beleg të Deçanit.
Zyrtari i lartë i Vetëvendosjes ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë në manifestimin e Opozitës i cili u mbajt më 28 nëntor në Prishtinë, ndërsa ka mohuar të ketë fletë-arrest për të.
Molliqaj bashkë me disa aktivistë të tjerë opozitarë gjatë protestës së muajit të shkuar e kishte ndaluar dhe zbritur nga vetura zyrtare, këshilltarin e Ministrisë së Bujqësisë, Shasivar Haxhiun dhe më pas e kishin demoluar veturën.
Protesta e tri subjekteve opozitare pati esklauar në dhunë pas arrestimit të deputetës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi.
Menjëherë pas kësaj Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se policia e Kosovës është vënë në kërkim të Molliqajt të cilin edhe e kishte kontaktuar dhe më pas i kishin kërkuar që të paraqitet në stacionin policor, njofton Klan Kosova.