Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka thënë se ulja në një tryezë të përbashkët, dialogu pa kushtëzime, debati në Kuvend, respektimi i legjitimitetit qytetar janë rruga e vetme që duhet ta ndjekim të gjithë.
Ai në rrjetin social ka shkruar se dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.
Ja postimi i Thaçit në facebook:
Ndërtimi i shtetit tonë është ajo që na bashkon të gjithëve, pa dallim partie, ideje dhe besimi. Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së.
Ne, së bashku mund ta transformojmë FSK-në në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe ta integrojmë Kosovën në NATO, mund të realizojmë investime strategjike që do të çojnë drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale.
K osova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE.
Dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.
Është koha të reflektojmë. Këtë e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e kërkojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Ulja në një tryezë të përbashkët, dialogu pa kushtëzime, debati në Kuvend, respektimi i legjitimitetit qytetar janë rruga e vetme që duhet ta ndjekim të gjithë.
Të ndarë, mund të vonohemi shumë.
Së bashku mund t’i arrijmë të gjitha.
Të dalim fitimtarë. HTH