Jo vetëm shtëpia e Lavdrim Muhaxherit është bastisur së fundmi. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë qenë të bindur, të mërkurën natën, se edhe në një shtëpi në fshatin Llanishtë të Shtimes mund të jetë i strehuar terroristi kaçanikas.
Një ditë më parë, Gazeta Express ka raportuar se Polica e Kosovës është parë duke bastisur shtëpinë e Lavdrim Muhaxherit në Kaçanik dhe në disa zona tjera përreth ku thuhej se mund të jetë strehuar xhihadisiti shqiptar, pas kthimit në Kosovë.
Por, për ta kapur liderin shqiptar të ISIS’it, Policia ishin angazhuar në të njëjtën natë për të hyrë edhe në një shtëpi tjetër, afër Shtimës.
Por as në atë shtëpi nuk ndodhej i kërkuari nga Interpoli, por një pjesëtare e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, që është asistente e drejtorit të Njësisë antiterrorizëm në Ferizaj.
Policia kishte kryer një aksion bastisjeje gabimisht.
“Koha Ditore” ka marrë vesh se ky aksion i dështuar, që ka çuar policinë në shtëpinë e një zyrtareje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka ndodhur për shkak të përgjimit që Policia u ka bërë bisedave të dy zyrtarëve të kësaj agjencie.