Përballja zgjati për disa orë nëpër rrugicat e Athinës dhe bilanci i natës së dhunshme ishte gjashtë të arrestuar dhe disa makina dhe vitrina të shkatërruara. Kryeqyteti grek Athina është kthyer sërish në arenë përleshjesh midis policisë dhe grupimeve anarkiste të cilat protestuan gjatë mbrëmjes së të premtes kundër vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Në përfundim të protestës disa qindra anarkistë u grumbulluan sërish, këtë herë në lagjen Eksarqia, prej nga lëshuan një valë sulmesh me koktej molotovi dhe gurë ndaj forcave të shumta të policisë që ndodheshin në zonë.
Përballja zgjati për disa orë nëpër rrugicat e lagjes rebele dhe bilanci i natës së dhunshme ishte gjashtë të arrestuar, disa makina dhe vitrina të shkatërruara. Dy persona u dërguan në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.
Autoritetet greke thanë se janë në alarm të kuq gjatë tre ditëve në vazhdim, për shkak të përvjetorit të vrasjes së 16-vjeçarit Aleksis Grigoropullos 7 vjet më parë prej forcave të policisë, njofton Top Channel.
Për shmangien e incidenteve gjatë protestave që do të zhvillohen në Athinë gjatë këtyre ditëve, policia thotë se ka në shërbim në rrugët e kryeqytetit më tepër se 6.000 policë të cilët patrullojnë 24 orë në rrugët e qytetit helen.
Policia thotë se forcat e rendit kanë marrë urdhër të shmangin përballjen me protestuesit, por nëse tentohet të përsëriten aktet e dhunës të ndodhura gjatë viteve të kaluara, atëherë forcat e rendit do të ndërhyjnë për vënien e qetësisë.
Mes objekteve të rëndësisë së veçantë që janë vendosur nën ruajtjen e policisë është Politekniku i Athinës, Parlamenti, ambasadat e huaja dhe kompani shumëkombëshe që operojnë në vend. Masa shtesë do të merren edhe në Selanik dhe qytete të tjera të mëdha të vendit.
Autoritetet greke thanë se kanë dyshime të bazuara në përgjime dhe informacione të mbledhura në rrugë operative, se ekstremistët anarkistë po tentojnë të krijojnë akte dhune në protestat që do të zhvillohen në përkujtim të vrasjes së Grigoropullos