Mjegulla që ka kapluar vendin tonë tash e dy ditë, po vazhdon të shkaktojë probleme në komunikacion. Vetëm në 24 orët e fundit, Policia ka raportuar se kanë ndodhur 34 aksidente pa të lënduar, 16 me të lënduar, si dhe një tjetër që për pasojë pati një viktimë. Megjithëse policia nuk thotë specifikisht nëse aksidentet kanë ardhur si pasojë e mjegullës, thekson se në shumicën e rasteve, deri te aksidentet ka ardhur si pasojë e mos-përshtatjes së shpejtësisë në raport me kushtet e rrugës..
Ndërkaq, në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë publikuar fotografi të gjendjes së rrugëve në qytetet e tyre. Rruga magjistrale Gjilan – Prishtinë duket të jetë e kapluar nga mjegulla e dendur, ku dukshmëria nuk shkon përtej 10 metrave.
Edhe rrugët tjera magjistrale, por edhe në autostrada ku mungon edhe ndriçimi publik, dukshmëria si pasojë e mjegullës së dendur nuk është shumë e mirë dhe kërkohet nga shoferët që të jenë më të kujdesshëm dhe t’u përshtaten kushteve rrugore.