Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ndihmojë AKR-së në komunën e Mitrovicës, kandidati i së cilës për kryetar të komunës ka shkuar në balotazh me kandidatin e PDK-së.
Kjo u bë e ditur sot gjatë nënshkrimit të marrëveshje për koalicion para gazetarëve, me ç’rast kandidati i AKR-së, Agim Bahtiri, ka ftuar të gjithë ata të cilët dëshirojnë ndryshime në komunën e Mitrovicës që t’i bashkëngjiten atij.
“I kemi kalkuluar të gjitha programet dhe i kemi harmonizuar ato. Pres edhe nga partitë tjera dhe njerëzve të cilët e duan ardhmërinë e këtij vendi të më bashkëngjiten”, ka thënë Bahtiri, duke shtuar se programi i përbashkët AKR-LDK është më i miri, raporton KP.
Ndërkaq, kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Sadri Ferati, është shprehur se me mbështetjen e LDK-së, Agim Bahtiri, do të jetë kryetar i ardhshëm i Mitrovicës.
“Mitrovica meriton një qeverisje më të mirë, transparente dhe një administratë më efikase, ndalimin e shumë projekteve të dështuara, ndërsa qytetarët meritojnë trajtim ndryshe, pa seleksionime dhe presione çfarë ndodhin tani”, ka thënë Ferati.
Në anën tjetër, kandidati i AKR-së për kryetar, Agim Bahtiri, ka thënë se në rast të fitores, pushteti në mes të këtyre dy subjekteve do të ndahet 50 me 50 për qind, ndërkohë që bëri të ditur se është në negociata edhe me të gjitha partitë tjera, përveç PDK-së.