Në Kosovë, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës së punës, gratë paguhen më pak sesa kolegët e tyre meshkuj, sidomos në sektorin privat, edhe pse kanë të njëjtën pozitë, thonë qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas tyre, ende paraqiten paragjykimet e shoqërisë se një femër nuk mund të jetë e suksesshme sa një mashkull, edhe pse mund të ketë kualifikim arsimor më të lartë.
Behija nga Prishtina ka përfunduar Fakultetin Juridik, dhe punon në një kompani private. Ajo pranon se në kompaninë ku punon, ka dallime gjinore në paga mujore ose vjetore.
“Unë dhe një koleg-mashkull punojmë punën e njëjtë dhe punojnë në të njëjtën zyre. Por, për çudi kam pagë më të ulët sesa ai”, thotë Behija.
Përveç se gratë paguhen më pak, atyre u shkelen të drejtat edhe nga mekanizmat tjerë, pohojnë përfaqësuese të organizatave joqeveritare.
Arjeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë, se numri i ulët i grave të punësuara, ka bërë që ato të paguhen më pak për të njëjtën pozitë dhe orar të punës.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, thuhet se vetëm 23 për qind e grave në Kosovë punojnë, ndërsa meshkujt punojnë më shumë se 75 për qind e tyre.
Në anën tjetër, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës theksojnë se me ligjet në fuqi, pagat janë të njëjta dhe kjo respektohet në sektorin publik.
Hasan Abazi, nënkryetar në këtë sindikatë, për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo mund të ndodhë në sektorin privat, sektor ky që shumë herë është kritikuar sa i përket respektimit të të drejtave të punëtorëve.
Sidoqoftë, problemi i diskriminimit në vendin e punës nuk është thjesht një dukuri, me të cilën preokupohen vetëm gratë në Kosovë.
Organizata Ndërkombëtare e Punës në Kombet e Bashkuara, më herët ka bërë me dije se gratë, në shumë shtete në botë, të cilat janë më mirë të arsimuara dhe me më shumë përvojë sesa kolegët e tyre meshkuj, vazhdojnë të paguhen më pak.