Është e disata herë që trajneri i Kombëtares “driblon” kampionatin e tij të vendlindjes. Xhani De Biazi është i mendimit që në Itali puna e trajnerit është shumë stresuese dhe mbi të gjitha aspak komode nga fakti që askush nuk lejohet që të përfundojë planet e tij deri në fund.
Sipas trajnerit të kuqezinjve, në Itali një trajner nuk lejohet që të nisë dhe të përfundojë sipas planit dhe ideve të tij një projekt.
“Nuk e di nëse do të kthehem në Itali. Mbase do të tentoj një tjetër aventurë jashtë”, është shprehur trajneri i kuqezinjve në një deklaratë që ka dhënë për mediat italiane. Në përfundim të kualifikueseve për “Euro 2016”, trajneri i Shqipërisë u shpreh se ndihej i lumtur për faktin që nisi dhe përfundoi një projekt të plotë me Shqipërinë.
Këtë gjë, sipas tij, nuk mund as ta pretendosh në një kampionat ku trajnerët janë të rrezikuar çdo dy javë. “Mbase do të tentoj një aventurë të re jashtë vendit, që do të jetë edhe më shumë interesante”, ka deklaruar De Biazi për “Pentasport”.
De Biazi arriti që të konkludojë me sukses projektin e tij me Shqipërinë, duke arritur të kualifikohen në Europian, ndërkohë që ky ishte edicioni i tij i dytë në krye të kuqezinjve.